Pritje madhështore për Papa Françeskun në stadiumin “Velodrome” të Marsejës

Nga A2 CNN
23 Shtator 2023, 20:24 | Fotolajme
Pritje madhështore për Papa Françeskun në stadiumin

Një pritje madhështore, me pothuajse 60.000 të pranishëm në tribunat dhe fushën e stadiumit “Velodrome”, iu rezervua Papa Françeskut në Marsejë, aty ku ai mbylli turin mesdhetar të vizitave me një mesazh për bashkimin e Europës për të përballur me dinjitet krizën e emigrantëve.

Me njerëzit që vërshuan në stadium, u desh mobilizimi i një aparati sigurie “tepër të pazakontë” nga ana e autoriteteve franceze, të cilat nxorën në rrugë 6000 policë dhe një mijë roje private të sigurisë për të ruajtur rendin gjatë vizitës së Atit të Shenjtë.

Papa Françesku kremtoi meshën në stadium duke nisur me: “Mirëmëngjesi Marsejë, mirëmëngjesi Francë”, duke iu drejtuar besimtarëve në frëngjisht, ndërsa mes publikut ishte i emocionuar Presidenti Emmanuel Macron.

Kreu i kishës katolike romake kishte më parë një takim gjysmë ore me kreun e shtetit francez, i cili u fokusua kryesisht në situatën ndërkombëtare, me tema të nxehta si luftërat në Ukrainë, Afrikë, Nagorno-Karabakh, çështjet që lidhen me emigrantët dhe ato klimatike.

Në diskutimin mbi emigracionin, Papa ka denoncuar “indiferencën” e politikanëve dhe zyrtarëve evropianë ndaj tyre, duke thënë se “Franca nuk ka asgjë për të cilën të turpërohet, pasi ajo është një vend i mirëseardhjes dhe integrimit“.

Papa Françesku iu drejtua Stade Velodrome me makinën papale nën një diell të ndritshëm dhe u përshëndet ngrohtësisht nga turmat që valëvitnin flamujt francezë, të Marsejës dhe të Vatikanit, ndërsa disa thërrisnin “Rroftë Papa, mirë se erdhe në Marsejë!”.

Pas mbërritjes së tij, një banderolë gjigande u shpalos në tribunën përballë podiumit nga tifozët e Olympique Marseille, e cila përshkruante bustin e Papës pranë “Nënës së Bekuar”, që është Bazilika Notre-Dame-de-la-Garde, kisha e shenjtorit tonë mbrojtës të qytetit.

Pas kësaj banderole mijëra spektatorë fillimisht vizatuan me kartonat që mbanin në duar një kryq blu në një sfond të bardhë, flamurin e Marsejës, përpara se të shkruanin atje një “Faleminderit” të madhe, me shkronja të verdha të formuara nga letra ari.

Sakaq, prania e Emmanuel Macron gjatë meshës u kritikua nga të zgjedhurit e majtë në emër të respektimit të karakterit laik të shtetit, ndërsa disa zyrtarë të zgjedhur të ekstremit të djathtë preferuan të bojkotojnë shërbimin për shkak të fjalimit të Papës për emigrantët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos