
Zjarri i përmasave të mëdha që ka përfshirë kodrën në fshatin Margëlliç të Fierit, ka mobilizuar strukturat e qeverisjes lokale, por edhe atë qendrore.
Pranë vatrës së zjarrit ndodhet prefekti i qarkut Fier Lefter Shehaj dhe deputetja e Partisë Socialiste, Antoneta Dhima.
Në një prononcim për mediat prefekti Shehaj tha se po monitorohet me kujdes situata, teksa zjarrfikësit po punojnë për të larguar fillimisht rrezikun që i kanoset banesave në zonë.
Ai u ndal edhe te situata problematike që është krijuar me vatrën e zjarrit në fshatin Ofiçinë të Patosit, aty ku flakët shkrumbuan nënstacionin elektrik të qytetit, ç’ka detyroi OSHEE të stakonte energjinë.
Po ashtu prefekti i Fierit theksoi se forca të shumta zjarrfikëse kanë ardhur në ndihmë të Zjarrfikëses së Fierit nga bashkitë fqinje të Vlorës, Beratit, Lushnjës, Dimalit dhe Kuçovës.
Ato ndodhen të gjitha të angazhuara në terren për të bërë të mundur neutralizimin e flakëve, por shqetësim madhor në kushtet aktuale sipas Shehajt është fakti se për shkak të ndërprerjes së energjisë në Patos, është e vështirë rimbushja me ujë e mjeteve zjarrfikëse. (A2 Televizion)