24 orë pas sulmit në veri të Kosovës, ministri i Mbrojtjes: Aktivitet i planifikuar vite më parë

Nga A2 CNN
25 Shtator 2023, 12:23 | Kosova
24 orë pas sulmit në veri të Kosovës, ministri i Mbrojtjes:

24 orë pas sulmit në veri të Kosovës, situata sot në veri paraqitet e qetë. Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, deklaroi në studion e Ditari në A2 CNN, se sulmi i djeshëm ka qenë i planifikuar dhe formacioni ushtarak, sipas tij, e dëshmon këtë.

“Situata në terren është më e qetë se 24-orëshi i kaluar. Policia e Kosovës ka situatën nën kontroll, policia po realizon detyrat e saj krehje të terrenit. Përgatitjet kanë qenë më parë, ka qenë aktivitet i planifikuar vite më parë. Gjithë arsenali i armatimit e tregonte këtë. Ka qenë armatim. Kemi pasur antitank dhe mjete të blinduara dhe armatime tipike të një formacioni ushtarak tregon planifikim afatgjatë të këtyre ngjarjeve. Ngjarja e djeshme e shpërfaqi këtë”.

Edhe strehimi në manastir e terroristëve sipas Maqedoncit ka qenë i planifikuar për shkak se vendet religjioze janë më pak të mbikëqyrura dhe të kontrolluara.

“Unë besoj që duke qenë një aktivitet i planifikuar terrorist edhe strehimi në manastir ka qenë i planifikuar që të shfrytëzohet për strehim se duke qenë vend religjioz është më pak i kontrollueshëm dhe të mbikëqyret. Nuk ka qenë rastësi për të shfrytëzuar manastirin vende të shenjta për të zhvilluar aktivitetin e tyre kundër forcave të sigurisë. Synimi i tyre afatshkurtër ka qenë veriu. Ky grup kriminal dhe terrorist është trajnuar e përgatitur më herët është koordinuar çdo veprim i tyre në territorin tonë”.

I pyetur nëse mund të parandalohej kjo ngjarje, ai tha se këto lloj grupesh terroriste nuk njohin rregullat e luftës.

“Ne si qeveri kemi qenë të kujdesshme në këtë aspekt duke pasur parasysh narrativën e Serbisë në vite. Nuk besoj që vetëm kishat janë pjesë e vendeve ku strehohen terroristët. Mund të jenë pjesë të tjera. Grupe të tjera terroriste si ky i djeshmi nuk njohin rregullat e luftës. Në vijim do të kemi më shumë informacione rreth të kaluarës së tyre”, tha Maqedonci. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos