
Artistit fitues të çmimit Grammy, Usher, i është besuar spektakli i pushimit të ndeshjes së Super Bowl 2024, që do të mbahet në Las Vegas, Nevada.
Lajmi u bë publik nga vetë sponsorët e evenimentit, që tërheq cdo vit milliona shikues në mbarë globin.
Edicioni i 58 i Super Bowl do të mbahet në Las Vegas më 11 shkurt të vitit 2024. Usher reagoi menjëherë duke e cilësuar këtë lajm, si nderin e jetës së tij, një ëndërr që më në fund po realizohet, tha ai përmes rrjeteve sociale, duke premtuar po ashtu një spektakël, që bota nuk e ka parë kurrë më parë.
Që nga publikimi I albumit të tij të parë në vitin 1994, reperi Usher ka shitur plot 80 milionë kopje të disqeve të tij në mbarë botën, duke rezultuar një nga këngëtarët më të paguar dhe artistët më të vlerësuar ndërkombëtarisht, me 8 çmime Grammy, që konsiderohet si një nga çmimet më prestigjioze të industrisë së muzikës.
Këtë vit që lamë pas, spektakli në pushimin e Super Bowl, iu besua mbretëreshës së muzikës R&B, Rihanna, nga ku njoftoi edhe shtatzëninë e dytë, duke u shndërruar zyrtarisht në shfaqjen më të ndjekur në të gjithë botën. (A2 Televizion)