
Nga rajoni i trazuar, por tashmë në armëpushim i Nagorno-Karabakh, të shumtë janë banorët që po largohen drejt Armenisë me gjithçka munden.
Janë me qindra refugjatët që mbërritën këtë fundjavë, nga kufiri me Azerbajxhanin drejt Armenisë, me makinë, në këmbë apo me ambulancë.
Shumë prej tyre thonë se duan të largohen sa më parë nga Nagorno-Karabakh, kërkojnë të krijojnë një jetë të re në Armeni dhe nuk duan më të jetojnë në territorin azer, sepse i tremben një spastrimi etnik, fjalë që ata thonë se e kanë dëgjuar vazhdimisht këto ditë, që pas rindezjes së konfliktit.
Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashanian, tha se qeveria është gati për t’i mirëpritur, edhe në qoftë se 120 mijë etnikë armenë, janë gati të zhvendosen.
Azerbajxhani pushtoi zonën në të cilën jetojnë 120 mijë etnikë armenë dhe thotë se dëshiron që edhe ata të integrohen si qytetarë të barabartë me azerët.
Por Armenia paralajmëroi se ata mund të përballen me një spastrim etnik.
Nagorno-Karabakh, një rajon malor në kaukazin jugor, është ndërkombëtarisht i njohur si pjesë e Azerbajxhanit, por ka qenë nën kontrollin e etnikëve armenë prej së paku 3 dekadash.
Enklava ka pasur vazhdimisht mbështetjen e Armenisë, por edhe të aleatit të tyre, Rusisë, që prej vitesh ka vendosur atje qindra ushtarë të saj. (A2 Televizion)