
Një tjetër pjesëtar i grupeve paramilitare serbe, që ka mbetur i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me Njësinë Speciale të policisë së Kosovës, është gjetur mesditën e sotme gjatë kontrolleve në Zveçan.
Personi i vrarë është i katërti anëtar i grupit paramilitar që ka mbetur i vdekur pas ngjarjeve që pasuan sulmin e ndodhur herët mëngjesin e së dielës ndaj policisë së Kosovës, prej të cilit humbi jetën rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa dy policë të tjerë u plagosën.
Trupi i pajetë është gjetur rreth 1.5 km larg manastirit të Banjskës dhe lajmin për gjetjen e tij e ka konfirmuar për mediat kosovare zëdhënësi i prokurorisë Ekrem Lutfiu, por ende nuk është bërë i ditur identiteti i viktimës.
Sakaq, nga operacioni i policisë janë arrestuar 6 serbë, dy prej të cilëve janë të plagosur. (A2 Televizion)