
Inter është skuadra e vetme në kampionatin italian që nuk di të ndalet. Zikaltrit regjistruan fitoren e pestë radhazi, pasi mposhtën minimalisht Empolin në transfertë. Në formacionin e vendasve ishin dhe 3 lojtarë shqiptarë: Ismajli, Berisha dhe Shpendi.
Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Ardian Ismajli, u zëvendësua në minutën e 51 për shkak të një lëndimi në kofshë. Vetëm pak sekonda pas daljes së tij, Di Marco shënoi një supergol dhe vendosi fatin e kësaj sfide.
Aktualisht, Inter është skuadra e vetme me pikë të plota në Serinë A. Zikaltrit udhëheqin klasifikimin me 15 pikë, 3 më shumë se Milani i vendit të dytë.
Ndërkohë, Roma regjistroi një tjetër hap fals. Kryeqytetasit nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 ndaj Torinos, në një ndeshje që la shumë për të dëshiruar. Në fraksionin e parë, ritmi ishte i ulët dhe rrjetat nuk u prekën. Në pjesën e dytë, ishte Romelu Lukaku që zhbllokoi sfidën dhe shënoi në ndeshjen e tretë radhazi për skuadrën e Jose Mourinho. Por, festa e kryeqytetasve nuk zgjati shumë dhe për këtë mendoi kolumbani Duvan Zapata, i cili pak para fundit vendosi sërish baraspeshën.
Një barazim që dhemb për skuadrën e Mourinho, e cila ende nuk ka arritur të gjejë formën më të mirë në kampionat. Aktualisht, verdhekuqtë janë në kuotën e 5 pikëve, duke u pozicionuar në vendin e 13-të, ndërsa Torino ka 8 pikë dhe mban vendin e tetë.
Napoli nuk është më ai i një sezoni më parë. Skuadra e Rudi Garcia barazoi pa gola ndaj Bolonjës, në një ndeshje me shumë raste, por pa finalizime. Napoletanët dominuan totalisht dhe provuan shumë herë para portës, por asnjë nga goditjet nuk shkoi brenda në kuadrat. Për kampionët në fuqi të Italisë, Osimhen humbi penallti në minutën e 72, çka mund t’i jepte djemve të Rudi Garcias tri pikë.
Një barazim që rëndon shumë te Napoli, pasi prej 3 ndeshjesh nuk di të fitojë dhe renditet në vendin e shtatë, me tetë pikë. (A2 Televizion)