Në qeli prej 12 majit, Gjykata e Lartë rrëzon rekurset e Fredi Belerit

Nga A2 CNN
26 Shtator 2023, 14:20 | Kronikë
Në qeli prej 12 majit, Gjykata e Lartë rrëzon rekurset e Fredi

Gjykata e Lartë rrëzon dy rekurset e bëra nga Alfred Beleri, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, që qëndron në qeli prej 12 majit. Kolegji Penal vendosi të mos pranojë kundërshtitë e Belerit ndaj arrestit në flagrancë dhe për ndryshim të masës së sigurisë “arrest në burg”.

Kujtojmë se, disa ditë më parë, Asambleja e Dhomave të Avokatisë Greke ka reaguar, pasi Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në qeli Fredi Belerin, i akuzuar për shitblerje votash. Në këtë mënyrë, vendimi i sotëm i gjykatës rrëzon për herë të gjashtë kërkesën e Fredi Belerit për ndryshimin e masës së sigurisë.

Në reagimin e Asamblesë së Dhomave të Avokatisë Greke theksohet se, sipas tyre, ky vendim është në shkelje të tri neneve në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, e po ashtu në shkelje të parimit të proporcionalitetit.

“Edi Rama të lejojë Belerin të bëjë betimin si kryetar i zgjedhur. Në fakt, nuk ka asnjë vendim gjykate që e ndalon Belerin të bëjë betimin”, thuhet më tej në këtë reagim.

Më 14 shtator, Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, vendosi të kalojë për gjykim çështjen e Belerit, i arrestuar me akuzën e Korrupsionit aktiv në zgjedhje. Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos