
Martin Marku (Bardhi) është vrarë, mëngjesin e së martës, me armë zjarri në Rrëshen. Siç bëri të ditur për mediat, drejtori i Policisë Lezhë, Alfred Elezi, Marku ndodhej në lokalin e tij në momentin kur dy persona të maskuar hapën zjarr ndaj tij.
Për pasojë, të plagosur mbetën edhe tre persona të tjerë që ndodheshin në tavolinë me viktimën. Pas ekzekutimit të Markut, dy personat e maskuar janë larguar nga vendi i ngjarjes me një fuoristradë.
Automjeti u gjend më pas duke u djegur në fshatin Gëziq, Mirditë. Sa i përket motiveve të ngjarjes, Elezi deklaroi para mediave se fisi Bardhi ka qenë në konflikte me fise të tjera, kjo dihej në zonë.
Sa i përket të plagosurve, ata janë aktualisht nën kujdesin e mjekëve. Ndërkohë, forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe në ndihmë të Policisë lokale, janë nisur Forcat Speciale “RENEA” dhe FNSH, si dhe në Rrugën e Kombit, në drejtim të Kukësit, të Laçit, Lezhës dhe Dibrës, janë ngritur pika kontrolli. (A2 Televizion)