Bashkimi Europian nuk e merr për bazë videon e qeverisë së Kosovës që provon se krimineli Milan Radojçiç ishte mes terroristëve që kryen sulmin e së dielës. Zëdhënësi Peter Stano njoftoi se blloku po pret për përfundimin e hetimeve për atë që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, dhe më pas do të vendosë masa, por vetëm nëse do të vlerësohet e nevojshme.
“Në këtë fazë është e rëndësishme të sqarohen të gjitha faktet dhe të sigurohemi që përgjegjësit do të mbajnë përgjegjësi, por ne nuk do të hidhemi përpara dhe të nxjerrim përfundime në bazë të asaj videoje, hetimi duhet të përfundohet në mënyrë që BE-ja të ketë një pasqyrë të qartë dhe pastaj mund të flasim për pasojat”, tha Stano.
Zyrtari i Bashkimit Europian refuzoi disa herë të jepte një vlerësim për përfshirjen e Radojçiç, numrit dy të Listës Serbe me raporte mjaft të ngushta me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, duke thënë se nuk komenton emra të përveçëm.
Stano refuzoi gjithashtu që të tregonte se çfarë u diskutua në takimin e përfaqësuesve të vendeve anëtare të BE-së, të mbajtur të martën në Bruksel, me arsyetimin se bëhet fjalë për informacion sekrete.
Megjithatë, Radio Evropa e Lirë, duke cituar burime në Bruksel, raporton se disa prej shteteve të bllokut kërkuan vendosjen e masave ndaj Serbisë, nëse dëshmohet lidhja e saj me sulmet ndaj policisë së Kosovës në Banjskë.
“Ajo që ka ndodhur të dielën në veri të Kosovës, sasia e armëve që është gjetur, dhe informacionet që po i marrim vazhdimisht nga terreni, janë duke e ndryshuar lojën”, kanë thënë burimet brenda bllokut europian.
Pavarësisht se është konfirmuar mbështetja për ndërmjetësuesin në dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak, disa prej vendeve anëtare shprehën rezerva dhe kërkuan një qasje të balancuar të BE-së. (A2 Televizion)
