“KFOR-i lejoi gjuetinë ndaj serbëve”, Vuçeviç: Kurti po përndjek dhe shantazhon serbët!

Nga A2 CNN
27 Shtator 2023, 14:54 | Kosova
“KFOR-i lejoi gjuetinë ndaj serbëve”,

Serbia shprehet e zhgënjyer me reagimin e KFOR-it gjatë përleshjeve të armatosura, ditën e diel, në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç, tha në një intervistë për televizionin shtetëror RTS se forcat e NATO-s, në vend të reagonin menjëherë, kishin lejuar gjuetinë ndaj serbëve.

Serbia është e zhgënjyer me reagimin e trupave të KFOR. Ata duhej të aktivizoheshin në të njëjtën kohë, pasi janë të parët që duhet të reagojnë në situata të tilla për të parandaluar gjakderdhje të mëtejshme.

Përballë akuzave të Prishtinës se Beogradi është autor i sulmeve, Vuçeviç e drejtoi gishtin nga Kurti, që siç tha me aksionin e tij anti-terrorist në veri, po përndjek dhe po qëllon serbët; me shantazhe, arrestime masive dhe duke hyrë në shtëpitë e tyre.

Teksa e vë theksin tek nevoja për t’i mbrojtur serbët atje, ministri i Mbrojtjes thotë se pyetja kryesore qe shtrohet, është kush e lejoi policinë e Kosovës, të vijë nga jugu ne veriun e vendit, përkundër marrëveshjeve të Brukselit.

“Dikush e lejoi këtë. Dikush e lejoi Albin Kurtin të ndërtonte baza për forcat speciale të policisë. Të rriste praninë policore dhe të hynte me automjete speciale në veri. Dikush lejoi të mbajë të ashtuquajturat zgjedhje, të zgjedhë kryetarë me 2 apo 3 për qind të votave. Dikush lejoi që të mos ketë sanksione për shkelje të marrëveshjes së Brukselit”.

Sakaq një pjesë e partive opozitare në Parlamentin serb, kanë akuzuar Presidentin Vuçiç si përgjegjës kryesor për gjakderdhjen në Banjskë.

Kreu i partisë opozitare, Lëvizja Kombëtare e Serbisë, Mirosllav Aleksiç, tha se Milan Radoiçiç, zv.kryetar i Listës Serbe që sipas autoriteteve në Kosovë është organizator i sulmit, nuk do të mundte te armatoste dhjetëra serbë në veri pa dijeninë dhe miratimin e Vuçiç dhe shërbimeve serbe të sigurisë.

“Këta të dy kanë më së shumti përgjegjësi për gjakun e derdhur në Banjskë”, tha Aleksiç. Vuçiç nuk ka komentuar pretendimet për përfshirjen e Radoiçiçit për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos