
Investimet e huaja direkte në Shqipëri këtë vit po shënojnë vlera rekord, por, nga ana tjetër, një tendencë të ngjashme shfaqin edhe investimet shqiptare jashtë vendit.
Nga bilanci i pagesave të publikuara në Bankën Shqipërisë për 6 mujorin e parë shohim se ka një dalje të investimeve kapitale të bizneseve rezidente shqiptare në vlerën absolute prej 126 milionë euro. Për ekspertët e ekonomisë ky tregues duhet parë me shqetësim.
Zef Preçi thotë se diferencën për një biznes e bën siguria që gjejnë në vendet tjera, por jo në Shqipëri.
“Në këto rrethana unë e lexoj këtë shifër, si një emigrim për shkak të normës së ulët të fitimit, ashtu edhe të joshjes që vijnë nga vendet e tjera. Lëvizja ndodh për shumë arsye. Për kushte të njëjta të krahasueshme kërkohet siguri më e madhe. Nëse norma e fitimit te një firmë ndërtimi është 10% dhe këtu e dhe në Shkup, por atje sistemi është më funksional, bizneset nuk presin me vite rimbursimin, kuptohet që biznesi do investonte më parë në Shkup sesa këtu.”
Më të shumtë në këtë trend janë bizneset e pasurive të paluajtshme. Emigrimi sipas Preçit nënkupton largimin e njerëzve që rriskojnë në ekonomi, duke prishur kështu edhe balancat në treg.
“E vërteta është se ky emigrim i bizneseve, është një tregues shqetësues për përkeqësimin e klimës së bizneseve në vend. Zhvillimi për shkak të largimit kapitalit, bizneseve, për shkak të prishje së ekuilibrave. Në rastin e bizneseve ikën një përvojë e caktuar, ikën një element konkurrence që do të çonte në uljen e çmimeve për produktet përkatëse, ikin njerëz që marrin risk. Është diçka që duhet të shqetësohen të gjithë.”
Sipas Preçit, qeveria duhet t’i përmirësojë politikat publike, duke ofruar kushte më të përshtatshme për të investuar dhe kontribuar në ekonominë e vendit tonë. (A2 Televizion)