Qeveria e Kosovës ka akorduar një shumë prej 50 mijë eurosh për të mbështetur familjen e policit Afrim Bunjakut të rënë në krye të detyrës gjatë sulmit terrorist në Banjskë. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Kurti u shpreh se ai ra në betejën e Kosovës për ligj dhe kushtetutshmëri.
“Mbështetje të rreshterit të rënë në detyrë në betejën e Kosovës për ligj dhe kushtetutshmëri, aty kishim Afrimin, ndërsa për familjen e tij, sot e gjithnjë është e gjithë Kosova. Është detyrimi ynë përballë vetëmohimit të Afrimit, sado pak ta përmbushim për atë që ai la mbrapa, më të dashurit e tij, bashkëshorten, vajzën dhe djemtë e tij. Aprovojmë vendimin për të ndarë 50 mijë euro për familjen e tij. Para veprës së tij do të përkulemi me nder dhe atë do ta kemi gjithmonë në mendjet, zemrat dhe shpirtrat tanë”, tha kryeministri Kurti.
Afrim Bunjaku ra në krye të detyrës të dielën e 24 shtatorit gjatë një sulmi terrorist serb në Banjskë të Zveçanit në Kosovë. (A2 Televizion)
