Chollet telefonon Kurtin dhe Vuçiç, këshillat që iu dha

Nga A2 CNN
26 Shtator 2023, 20:01 | Kosova
Chollet telefonon Kurtin dhe Vuçiç, këshillat që iu dha

Situata e krijuar në ditët e fundit në veri të Kosovës ka ngritur në këmbë diplomacinë amerikane e cila kërkon nga palët që të heqin dorë nga retorika që sjell tensione dhe të ulen në tryezën e bisedimeve.

Në përpjekjen më të fundit, ishte vetë Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet ai që bisedoi ndarazi përmes telefonit me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

“Bisedova me kryeministrin Albin Kurti për sulmin e tmerrshëm të së dielës në Kosovë. Dënoj ashpër dhunën kundër policisë së Kosovës dhe shpreha ngushëllime për humbjen e rreshterit Afrim Bunjaku. Të dyja palët duhet të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatojnë përkushtimet (e marrëveshjes) së Ohrit”, shkroi Chollet.

Po ashtu në rrjetet sociale, diplomati amerikan zbardhi dhe bisedën që pati me liderin e serbëve.

“Fola për rëndësinë e shtensionimit të menjëhershëm në veri të Kosovës dhe shmangien e veprimeve që mund të nxisin më tej tensionet. Humbja tragjike e jetës nënvizon nevojën urgjente për të rivendosur qetësinë dhe për t’u kthyer në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, shkroi Chollet. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos