2 javë pas përmbytjeve, banorët e Derna të braktisur në çadra, ende asnjë ndihmë nga shteti

Nga A2 CNN
1 Tetor 2023, 13:52 | Bota
2 javë pas përmbytjeve, banorët e Derna të braktisur në

Kanë kaluar 2 javë nga tragjedia, që i mori jetën zyrtarisht 4 mijë banorëve, ndërsa 10 mijë të tjerë, rezultojnë ende të zhdukur.

Këtë të diel, autoritetet kishin programuar të mbanin konferencën e rindërtimit të qytetit të shkatërruar, por asgjë nuk është gati për tu ardhur në ndihmë, edhe financiarisht, banorëve të mbetur në mes të katër rrugëve, pa çati mbi kokë e pa para në xhep, pavarësisht ndihmave të komunitetit ndërkombëtar.

Prej 10 shtatorit, asnjë shtëpi nuk ka mbetur e pa shkatërruar. Përmbytjet ishin katastrofike, duke rrafshuar ¼ e qytetit. Mohamed al Ghoeil të gjithë pasurinë e tij e kish investuar në këtë super market.

Sot, asgjë nuk ka shpëtuar. Ata i janë falënderues zotit që I la gjallë, edhe pse tani do duhet të mbijetojnë.

50-vjeçari Khaled al Fortas thotë se me aq fuqi sa i kanë mbetur pas tragjedisë së shtatorit, do rindërtojë gjithçka, sepse familja ka nevojë për të.

Me sytë nga perëndimi por edhe me shpresën e ndihmës nga qeveria e Tripolit, banorët kërkojnë së paku ushqime, mjaftueshëm sa për të marrë forcë për t’u ringritur.

Për rindërtimin, autoritetet në Libi thotë se kanë dhënë deri tani 10 milionë dinarë apo 2 milionë dollar por këto para, nuk kanë mbërritur ende tek banorët e prekur nga përmbytjet.

Banorët, ata që kanë mbetur ende në Derna, kane nisur të pastrojnë baltën që lanë pas përmbytjet dhe thonë se nga ajo ditë, asnjë përfaqësues të qeverisë nuk kanë parë më në qytet. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos