Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, pohoi para gazetarëve se qeveria dhe universitetet do të ndërtojnë një strategji të re për programet që po rrezikojnë zhdukjen në arsimin e lartë.
Sa i përket rankimit ndërkombëtarë të Universitetit të Tiranës, Manastirliu dhe rektori Hoxha e cilësuan të pavërtetë lajmin që UT ishte në 10 vendet e fundit.
“Sfida jonë e përbashkët me universitetet është të ndërtojmë një strategji, e cila të mundet të ridemensionojë programet aktuale të mësimit që t’i sjellë ato më pranë tregut të punës. Këto dy vite po monitorohet programi dhe po shihet sesi po ecën, viti tjetër do të jetë i konsolidimit dhe i transformimit të mbështetjes dhe instrumentit të mbështetjes së këtyre programeve që i sjellin benefit studentit dhe më pas vendit”, tha ministrja.
“Së pari nuk ka rritje të tarifave në Universitetin e Tiranës, madje ka ulje dhe këto janë të verifikueshme. Nuk është e vërtetë që Universiteti i Tiranës ka rënë 200 vende. Kjo sepse universitetet e Shqipërisë futen për herë të parë në këtë rankim. Kur futesh për herë të parë nuk ka as më lartë dhe as më poshtë. Unë jam personi më kritik brenda Universitetit të Tiranës dhe brenda arsimit të lartë në tërësi sepse jam përveç rektor, jam edhe kryetar i konferencës së rektorëve. Prej 4-5 vitesh, ne rankohemi në nivel botëror dhe në nivel europian, ndërkohë më parë ne nuk futeshim fare”, tha rektori Hoxha. (A2 Televizion)
