
Një incident diplomatik bëri që ndeshja ndërmjet vendasve iranianë të Sepahan dhe Al Ittihad, skuadrës së Karim Benzema të mos luhej. Takimi ishte i vlefshëm për raundin e dytë të grupeve në Champions League aziatike.
Skuadra arabe, ku përveç Benzema luan edhe N’Golo Kanté, refuzoi të luante, për shkak se në daljen nga dhomat e zhveshjeve, ku bëhet parakalimi i ekipeve për të zbritur në fushë, ishte ekspozuar busti i Qassem Soleimani.
Ai është gjenerali iranian i Pasdaran-it, i vrarë në janar të vitit 2020 në Irak, pas një sulmi me dron nga ushtria amerikane. Në vitin 2018, Riadi e kishte përfshirë në listën e terroristëve Soleimani-n dhe komandantë të tjerë të “Quds Force”, forcat ushtarake elitë për operacionet jashtë vendit.
Al Ittihad kërkoi heqjen e statujës, duke e cilësuar një provokim të hapur politik. Kjo për faktin se Pasdarani cilësohet krahu ushtarak i regjimit shiit të Ayatollah dhe shpesh ndodhen në vijën e parë të konflikteve me mbretërinë sunite.
Autoritetet refuzuan ta hiqnin bustin dhe në atë moment, ekipi i Benzema e Kante refuzoi të zbriste në fushë, vendim që u vërshëllye dhe u kontestua nga 60 mijë tifozët e pranishëm në stadium. Episodi rrezikon të pengojë bisedat për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Arabisë Saudite dhe Iranit. (A2 Televizion)