“Shfaqi aspirata për aneksimin e veriut”, Kurti kërkon që Serbia të ndëshkohet për sulmin në Banjskë

Nga A2 CNN
3 Tetor 2023, 10:22 | Kosova
“Shfaqi aspirata për aneksimin e veriut”, Kurti kërkon

Kosova kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar ndëshkimin e Serbisë, duke e konsideruar përgjegjëse për sulmin e armatosur në Banjskë. Kryeministri Albin Kurti, në një event në Prishtinë për arritjet e Procesit të Berlinit, akuzoi Beogradin për politika hegjemoniste duke nënvizuar se përmes agresionit të 24 shtatorit synonte aneksimin e Veriut të Kosovës.

“Ndëshkimi për sulmuesit nënkupton ndëshkimin e Serbisë, e cila e mbështeti financiarisht, ushtarakisht, logjistikisht, politikisht, publikisht, zyrtarisht, atë që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, por në të njëjtën kohë edhe ekstradimi, dorëzimi i të gjithë atyre, të cilët janë duke u përndjekur, sepse ikën nga vendi i krimit dhe nga shteti ynë”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti bëri të ditur se në bazë të informacioneve paraprake, shumica e të përfshirëve në sulmin e armatosur, ishin pjesëtarë të dy organizatave të shpallura terroriste në Kosovë, si Mbrojtja Civile dhe Brigada e Veriut. Foli edhe për debatin në Parlamentin Europian lidhur me zhvillimet e fundit mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Unë besoj që diskutimet që do të zhvillohen në vijim, përfshirë edhe ato në forumet e Bashkimit Evropian, më i larti i tyre Parlamenti Evropian, për nga përfshirja qytetare demokratike, është siguria për Kosovën, ndëshkimet për sulmuesit dhe në të njëjtën kohë, të mos provojmë të vazhdojmë me çfarëdo ideje të status quo-së, që mund ta ketë e nuk besoj që do të duhej ndokush.”

Shefi i qeverisë tha mes tjerash se qëndrimi aktual i Serbisë konfirmon se nuk është e interesuar për bashkëpunim rajonal dhe as për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.  (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos