A keni dëgjuar ndonjëherë për Curling? Ky është sporti më i ri që po zhvillohet në Kosovë. Curling është një lojë interesante që ndryshe quhet shah në akull. Fillesat e saj janë në shekullin 16-të në Skoci , kur disa të rinj kërkonin të luanin diçka ndryshe që t’i jepte kënaqësi dhe mbi të gjitha fëmijët të socializoheshin dhe më shumë me njëri-tjetrin.
Loja e Curling tradicionalisht është zhvilluar në një fushë akulli, por në mungesë të saj, drejtuesit më të lartë të këtij sporti kanë menduar të shpikin disa fletë moderne, ku gurët mund të rrëshqasin me lehtësi.
Për herë të parë, Curling erdhi në Kosovë në vitin 2019 dhe interesi ishte i jashtëzakonshëm. Fëmijë të moshave të ndryshme që luanin për orë të tëra derisa ta mësonin.
Çdo skuadër është e përbërë nga katër lojtarë. Objektivi i lojës është relativisht i thjeshtë. Gurët duhet të rrëshqasin sa më afër qendrës në fundin e fushës. Ekipi që e arrin këtë merr një pikë, ndërsa fituesit janë ata që arrijnë të parët 8 pikë.
Një fushë akulli është e gjatë 46 metra dhe e gjerë maksimalisht 5 metra, ndërsa gurët peshojnë 20 kg.
Loja fillon me hedhjen e monedhës se cila skuadër fiton të drejtën për ta hedhur e fundit gurin. Ky ekip ka përparësi pasi mund të largojë kundërshtarin nga rrethi dhe në fund të regjistrojë ai rezultatin më të mirë.
Peter Andorson është një nga tranjerët e Curling. Ai vjen nga Kanadaja dhe çdo ditë punon me pasion për ta promovuar dhe më shumë këtë sport në Kosovë.
“E dua Prishtinën. Që në vitin 2016 që erdha këtu, unë rashë në dashuri me njerëzit, me ushqimin, me kulturën këtu. E pasi më duhet të kthehesha në Kanada në 2020, doja të kthehesha sërish këtu, më mungonte shumë Kosova. Tashmë Curling është bërë shumë popullor. I shoh që fëmijët e kanë me shumë qejf, edhe pse është një lojë e re për ata, mendoj se deri më tani janë shumë mirë.”
Presidenti i Federatës së Curling, Besim Hasani, u shpreh se ky sport erdhi në Prishtinë dhe se si u prit, kur ai e prezantoi për herë të parë përpara fëmijëve.
Sipas Hasanit, Curling po zhvillohet gjithmonë e më shumë, ka interes te fëmijët dhe e ardhmja është premtuese.
Objektivi është që ky sport të vijë shumë shpejt dhe në Shqipëri, ndërsa trajnerët shqiptarë shprehin gatishmërinë për ta promovuar.
Curling po përhapet me ritme të shpejta. Përqendrimi te fëmijët është maksimal. Ata nuk e shohin këtë lojë vetëm për sot, por pse jo duan ta praktikojnë edhe në të ardhmen. Nëse çdo gjë shkon sipas planit, një ditë do të kemi sportistë profesionistë që do të na përfaqësojnë në mënyrën më të mirë edhe në arenën ndërkombëtare. (A2 Televizion)
                                          
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   