Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian kanë reaguar për rastin e dy prokuroreve të cilat kanë marrë kërcënime nga grupi i Leart Haxhiut.
SHBA dhe BE shprehen të shqetësuara për kërcënimet e bëra ndaj autoriteteve gjyqësore në vend. Ndërkombëtarët theksojnë se prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë në gjendje që ta kryejnë detyrën e tyre pa frikën e kërcënimeve.
Një sistem drejtësie që funksionon pa frikë dhe kërcënime është kërkesë legjitime e popullit shqiptar dhe Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara për kërcënimet për dhunë ndaj zyrtarëve të zbatimit të ligjit që po punojnë për ta bërë Shqipërinë të sigurt, të begatë dhe më demokratike. Hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa kërcenime apo kanosje. Shtetet e Bashkuara ritheksojnë mbështetjen e tyre të palëkundur për zyrtarët e zbatimit të ligjit në Shqipëri, të cilët po luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar me guxim, si dhe janë gati të mbështesin përpjekjet e tyre.
Delegacioni i BE-së në Shqipëri është thellësisht i shqetësuar për kërcënimet e bëra ndaj autoriteteve gjyqësore që punojnë çdo ditë në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri. Ne mirëpresim angazhimin e autoriteteve shqiptare për të hetuar me shpejtësi këto kërcënime dhe të mbajnë përgjegjës autorët. BE mbështet plotësisht të gjithë zyrtarët që punojnë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri dhe dënon çdo formë të sjelljes kërcënuese ndaj tyre dhe vazhdon të mbështesë vendin në përpjekjet e tij për të forcuar sundimin e ligjit.
Kujtojmë se pas zbardhjes së dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Artan Tafanit, u zbulua se banda e Laert Haxhiut kishte planifikuar vrasjen e dy prokuroreve dhe një avokati.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë i caktoi mbrojtje prokurores së SPAK, Doloreza Musabelli dhe prokurores së shkarkuar të Lushnjës, Merita Selimi.
Mbrojta ndaj prokurores Musabelli dhe Selimit, që ende e ka statusin e magjistrates, erdhi pas rrëfimit të Tafanit.
Sipas bashkëpunëtorit të drejtësisë, të dyja prokuroret janë ndjekur për disa muaj dhe përgatitja e Laert Haxhiut dhe anëtarëve të grupit të tij, ishte vrasja e tyre ose të familjarëve.
Prokurorja Selimi hetoi Haxhiun, Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin për masakrën e vitit 2017, ku mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa u plagosën Bujar Turku dhe Marjus Xhepexhiu. (A2 Televizion)