Tirana shkarkon Orges Shehin, trajneri flet për A2 CNN: Klubi duhet të respektojë kontratën  

Nga A2 CNN
5 Tetor 2023, 11:43 | Futboll
Tirana shkarkon Orges Shehin, trajneri flet për A2 CNN: Klubi duhet të

Orges Shehi nuk do të jetë më trajneri i Tiranës. Pas humbjes ndaj Erzenit dhe Laçit, klubi bardheblu ka vendosur të shkarkojë teknikun dhe të mbyllë këtu bashkëpunimin me durrsakun.

Burime pranë klubit bëjnë me dije se 46-vjeçari mbërriti si çdo mëngjes në kompleksin “Skënder Halili” për të kryer seancën e radhës stërvitore me skuadrën, por pas një mbledhje të gjatë, së bashku me drejtorin sportiv Tefik Osmani, i është komunikuar se nuk do të jetë më numri një i pankinës bardheblu.

Në një prononcim për A2 CNN, trajneri Shehi tregoi se është një vendim i klubit, por shpreson që drejtuesit të respektojnë kontratën e tij deri në fund.

“Nuk jam larguar, por më kanë shkarkuar. Kam dhënë gjithmonë maksimumin. E respektoj vendimin, tani klubi duhet të respektojë kontratën time, deri në fund”, tha Orges Shehi, ish-trajner i Tiranës.

Orges Shehi është trajneri më afatgjatë në pankinën bardheblu. Ai mori drejtimin e skuadrës në janar të vitit 2021, fitoi titullin kampion në sezonin 2021-2022, si dhe një Superkupë Shqipërie.

Sa i përket emrave që pritet ta zëvendësojnë Shehin te Tirana, më i lakuari është ai i Ernest Gjokës, por nuk përjashtohet mundësia edhe e një rikthimi të mundshëm të Emmanuel Egbos. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos