Kaosi fiskal i vendimeve të qeverisë

Nga A2 CNN
6 Tetor 2023, 18:13 | Ekonomi
Kaosi fiskal i vendimeve të qeverisë

Qeveria ka intensifikuar këtë javë takimet me biznesin, në përpjekje për të përmirësuar klimën në vend. Ajo që u premtua sërish është heqja e të gjitha pengesave dhe barrierave administrative. Por, nëse do të gjykonim nga veprat dhe jo nga fjalët, qasja e qeverisë është krejt e ndryshme nga ajo që shfaqet. 

Le të shohim vetëm një element: ndryshimet fiskale. Biznesi ka kërkuar stabilitet fiskal, partnerët ndërkombëtarë gjithashtu. Por, çfarë ka ndodhur? Vetëm këtë vit, në fuqi kanë hyrë dy ndryshime të rëndësishme fiskale që prekin në masë qytetarët. I pari është ligji për tatimin mbi të ardhurat, ku ndryshojnë pagat dhe rrjedhimisht edhe tatimi mbi to. Ndryshimi i dytë është rritja e referencave për ndërtimin në Tiranë, që reflektohet tek rritja e taksës së banesës për familjet; rritja e taksave të tjera për ndërtuesit, çka pritet që në finale do të shkarkojë tek çmimi fundor, me shtrenjtim të apartamenteve. 

Këto ndryshime fiskale, që prekin thuajse të gjithë qytetarët, ndodhin vetëm tre muaj përpara hyrjes në fuqi të paketës së re fiskale, e cila nga 1 janari do t’i ndryshojë sërish rregullat e lojës. Ato do të prekin dy shtyllat kryesore, mbi bazën e të cilave funksionon normalisht aktiviteti i një biznesi: që janë niveli i taksave dhe procedurat tatimore.

Sipërmarrja vendase dhe e huaj kanë kundërshtuar vazhdimisht ndryshimet fiskale, duke kërkuar nga qeveria stabilitet. Kjo e fundit kishte premtuar se taksat dhe procedurat e lidhura me to do t’i ndryshonte një herë në 4 vjet, por realiteti tregon se po ndryshojnë disa herë brenda një viti. Një situatë e tillë e bën të vështirë për biznesin hartimin e planeve financiare; krijon paqartësi në zbatimin e ligjeve edhe nga vetë nëpunësit e administratës, duke lënë hapësira për korrupsion.

Një tjetër pasojë është trembja e investitorëve të huaj, që e shohin Shqipërinë si një treg potencial.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos