Pas përfundimit të Ministerialit të ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit në Tiranë, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ministrja për Punët e Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Annalena Baerbock dhe Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat.
Ky i fundit në fjalën e tij tha se, prioriteti i punës është integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Për këtë ai tha se, për të bërë më të lehtë këtë rrugëtim, BE-ja ka financuar shumë projekte të mëdha, me financime, grante dhe mbi të gjitha duke punuar edhe për rritjen e kapaciteteve njerëzore, për t’i bërë këto vende më tërheqëse për investitorët.
“Ne kemi diskutuar sot procesin e Berlinit, e cila është një platformë shumë e mirë dhe plotësuese për agjendën tonë të zgjerimit. Ne po flasim këtu për projekte të mëdha politike, por edhe për jetën e përditshme të qytetarëve dhe se si do ta sjellim BE-në këtu.
Ne e kemi thënë që zgjerimi me Ballkanin Perëndimor është kyç për ne. Unë jam krenar të them që kemi bërë gjysmën e punës. Ne kemi rreth 15 miliardë euro në financime, grante, investime private e publike. Investime të cilat po tregojnë diferencën e punës së BE-së për bizneset, për qytetarët.
Ne po sjellim financime të rëndësishme për sektorin publik dhe atë privat, për ta shndërruar ekonominë tuaj, duke investuar edhe në kapitalin njerëzor, në mënyrë që të jetë edhe më tërheqëse për investitorët.
Mbështetja jonë do të vijojë për të pasur edhe tranzicionin e suksesshëm në rajon për energjinë dhe ofrimin e saj në mënyrë të qëndrueshme. Jemi gati që të financojmë një terminal të ri për gazin e lëngshëm në Malin e Zi në portin e Tivarit.
Ne me kërshëri presim marrëveshjen për tregun e përbashkët evropian. Me anë të këtij zhvillimi ekonomik, i gjitha rajoni do të mund të shtojë PBB-në e vet.
Ne kemi folur për valët e mëparshme të zgjerimit, por edhe për mënyrën më të mirë për t’u përgatitur për integrimin dhe zgjerimin, më të shpejtë të rajonit dhe për këtë do të sjellim një plan të ri për përshpejtimin e integrimit evropian.
Ne duam që me anën e këtij plani të ndihmojmë vendet në reformat e tyre ekonomike. Ne jemi të gatshëm të sjellim më shumë investime. Plani i rritjes së BE-së mendojmë se do të jetë mjeti i duhur i transformimit të Ballkanit Perëndimor.” (A2 Televizion)
                                          
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   