Java e dytë e bojkotit të mësimit, studentët e Mjekësisë kërkojnë dorëheqjen e zv.ministres së Arsimit

Nga A2 CNN
9 Tetor 2023, 08:47 | Aktualitet
Java e dytë e bojkotit të mësimit, studentët e

Në javën e dytë të bojkotit të mësimit, studentët e Mjekësisë vijojnë protestojnë për të kundërshtuar ligjin që i detyron të qëndrojnë në Shqipëri. Në një lidhje direkte me Ditarin në A2 CNN, një nga studentët e vitit të katërt të Mjekësisë tha se do të vijojnë protestat dhe bojkotin deri në dorëheqjen e zv.ministres së Arsimit, ndërsa kërkojnë debat publik me ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu. Duke kundërshtuar ligjin të cilin e quajnë “ligjin e pengmarrjes së diplomës”, studentët kërkojnë të respektohet e drejta e tyre e diplomimit.

“Kemi shpallur bojkotin për të shprehur kundërshtinë ndaj ligjit që e quajmë të pengmarrjes së diplomave. Kjo është dita e tretë që zhvillojmë protesta përveç bojkotit. Sot nuk ka zhvillim të procesit mësimor as nga studentët e vitit të parë. Arsyet kryesore që janë në themel të të drejtave të njeriut, janë që një student që kryen detyrimet në një fakultet të pajiset me diplomë dhe ne kërkojmë që kjo e drejtë të mos na shkelet. Kostoja 6.7 milionë në vit për student është e papërballueshme për 99% të familjeve shqiptare. Nuk është zgjedhje reale, por edhe të kishte kosto të përballueshme nuk mund të barazohet më një privat”, shprehet studenti i Mjekësisë.

Në ndryshim nga herët e tjera, sot studentët kanë vendosur stola në mënyrë simbolike për të treguar që mësimi është pezulluar plotësisht, veçanërisht për studentët e viteve të dyta dhe të gjashta, ndërsa protesta do të vijojë me marshimin drejt Ministrisë së Arsimit.

“Protestë marshim drejt Ministrisë së Arsimit. Kërkojmë dorëheqjen e zv. ministres së Arsimit dhe kërkojmë debat publik me ministren e Arsimit, që të përballet me ne studentët e Mjekësisë dhe mos të na fshihet.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos