Konfirmohen 1100 viktima në Izrael dhe Gaza, bilanci mund të përkeqësohet

Nga A2 CNN
9 Tetor 2023, 09:05 | Bota
Konfirmohen 1100 viktima në Izrael dhe Gaza, bilanci mund të

Luftimet mes ushtrisë izraelite dhe Hamasit kanë vazhduar edhe gjatë natës. Rreth 1100 njerëz janë konfirmuar të vdekur në Izrael dhe Gaza, pas sulmit masiv të koordinuar nga militantët e Hamasit që filloi herët të shtunën.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit deklarojnë se numri i të vdekurve do të vazhdojë të rritet pasi një numër i madh njerëzish janë plagosur rëndë.

Ekipet e shpëtimit thonë se kanë gjetur 260 trupa në një festival muzikor i cili u sulmua nga militantët e Hamasit.

OKB-ja ka deklaruar se sulmet ajrore hakmarrëse të Izraelit kanë zhvendosur 123.000 palestinezë në Gaza dhe afro 74.000 kërkojnë strehim në shkolla.

Spitalet në Gaza janë tejmbushur dhe po përballen me ndërprerjet e energjisë elektrike. OKB-ja thotë se burimi i fundit i energjisë i Gazës, i vetmi termocentral i saj, mund të mbetet pa karburant brenda disa ditësh. Disa vende të tjera kanë thënë se qytetarët e tyre janë vrarë ose rrëmbyer nga Hamasi.

Të dielën në mbrëmje, raketat po lëshoheshin ende nga enklava palestineze e Gazës në jug të Izraelit, deklarojnë mediat ndërkombëtare.

SHBA-ja e ka afruar aeroplanmbajtësen e saj më afër Izraelit, ndërsa presidenti Joe Biden premtoi mbështetje “të qëndrueshme” të Uashingtonit për Tel Avivin. Ai ka thënë se do të dërgojë më shumë armë, një lëvizje e denoncuar si “agresion” nga Hamasi.

Zyrtarët amerikanë presin që Izraeli të nisë një inkursion tokësor në Gaza, brenda 48 orëve të ardhshme.

Ndërkohë çmimet e naftës u rritën të hënën, ndërsa investitorët vlerësuan mundësinë e një konflikti të zgjatur në rajonin prodhues të naftës.

Një valë sulmesh e nisur nga grupi militant në Hamas, të shtunën në mëngjes, ishte përshkallëzimi më i madh midis dy palëve për dekada. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos