Gaza nën breshërinë e raketave, zbulohen 1500 trupa të militantëve, Izraeli: Hamas është ISIS

Nga A2 CNN
10 Tetor 2023, 10:20 | Bota
Gaza nën breshërinë e raketave, zbulohen 1500 trupa të

Izraeli pretendon se ka siguruar kufirin me Rripin e Gazës, 3 ditë pasi militantët e Hamasit depërtuan përmes barrierave për të ndërmarrë një sulm të koordinuar vdekjeprurës, me pasojë vdekjen e mbi 900 personave.

Teksa njoftoi se asnjë militant nuk ka kaluar kufirin e survejuar gjatë 24 orëve të fundit, ushtria e Tel Avivit bëri të ditur se trupat e 1500 militantëve ishin gjetur në Rripin e Gazës dhe rreth tij. Ajo tha se sulmet ajrore kundër Gazës vijojnë, me 200 shënjestra të goditura gjatë natës dhe godina të tëra të rrafshuara. Gjeneral Herzi Halevi, shef i ushtrisë izralite, tha:Shteti i Izraelit dhe forcat e mbrojtjes po i përgjigjen sulmit kriminal dhe mizor të Hamasit. Hyrja e terroristëve në banesat private të civilëve dhe rrëmbimi i grave dhe fëmijëve është terrorizëm vrastar. Prandaj ne po sulmojmë, ndjekim dhe dëmtojmë çdokënd që mori pjesë në të. Dhe kështu do të vazhdojmë”.

Një zëdhënës i forcave të mbrojtjes izraelite tha se ushtria po ndërton infrastrukturën për operacione të ardhme dhe se 35 batalione, me qindra trupa secili, janë pozicionuar në kufirin me Gazën. Ka pritshmëri që Izraeli të nisë një operacion të madh tokësor në kundërpërgjigje të sulmeve vdekjeprurëse.

Në një fjalim mbrëmjen e së hënës, kryeministri Benjamin Netanjahu tha se sulmet ajrore në Gaza ishin vetëm fillimi: “Mizoritë e kryera nga Hamasi nuk janë parë që prej kohës së ISIS-it. Fëmijë të lidhur dhe të ekzekutuar bashkë me familjet. Djem të rinj dhe gra të qëlluara pas shpine. Hamas është ISIS. Dhe ne do ta mundim, ashtu si bota mundi ISIS-in. Ky armik mizor kërkoi luftë dhe luftë do të ketë”.

Ndërsa Izraeli nisi furishëm sulmet, duke rrethuar dhe izoluar plotësisht Rripin e Gazës, duke ndërprerë çdo lloj furnizimi, Hamasi paralajmëron se do të vrasë pengjet e marra në Izrael. Ushtria e Tel Avivit paralajmëroi qytetarët në Gaza të largohen përmes një kalimi të kontrolluar nga Egjipti, por më vonë tha se ai ishte mbyllur.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos