Prej një muaji Partia Demokratike zyrtare është përfshirë në një proces riorganizimi në të gjitha degët ku po bëhet verifikimi i anëtarësisë. Sekretari organizativ, Taulant Zeneli, në një intervistë për A2 CNN pranon se beteja e brendshme e demokratëve ka dëmtuar strukturat në bazë.
Problemi nuk është i ri, nënvizon Zeneli, që thotë se e ka evidentuar këtë ende pa nisur krisja e madhe. Pavarësisht kësaj, përjashtimet do të vazhdojnë nëse nuk ndiqet linja zyrtare, siç ndodhi pak ditë më parë me Gazment Bardhin.
Edhe pse kanë logon dhe vulën, PD zyrtare kërkon edhe selinë. Sekretari për Organizimin pohon sedo të vijojë beteja ligjore për të rimarrë godinën që tani strehon Sali Berishën dhe deputetët e tij.
Në mbledhjen e Kolegjit të Kryetarëve dhe të Kryesisë në datën 13 Shtator, u vendos që të bëhej verfikimi i anëtarësisë dhe nisja e procesit të ristrukturimit të partisë në të gjitha degët. Tashmë që ka kaluar afati për verifikimin e anëtarësisë, a kemi një numër të saktë se sa anëtarë ka PD zyrtare?
Siç e dinë të gjithë tashmë, pas zgjedhjeve për kryetarin e PDSH, Kryesia e partisë vendosi për nisjen e riorganizimit të strukturave të Partisë Demokratike. Bazuar në atë vendim ka dal dhe urdhri i Kryetarit të Bashës. Afati për procesin e riorganizimit të strukturave për njësive dhe koordinatorëve është 10 Nëntori. Afati i verifikimit të anëtarësisë me të drejtë vote ka qenë data 10 Tetor. Kështu që ne jemi në pritje të dorëzimit të listave të anëtarësisë nga çdo degë e Partisë Demokratike, sipas strukturës që është në statutin e ri të PDSH. Deri tani është bërë riorganizimi territorial i degëve, ndarja e degëve në njësi. Bazuar në propozimet që kanë bërë degët lokale me mbështetjen e grupeve të punës nga Kryesia e PDSH, është marrë dhe vendimi i Kryesisë në mbledhjen e fundit, për miratimin e këtyre ndarjeve sipas propozimeve që ka sjell secila degë. Bazuar në këtë ndarje, po vijon puna dhe duhet të raportohet dhe konfirmimi i anëtarësisë me të drejtë vote, mbi bazën e së cilave do të vijojë dhe procesi për zgjedhjen e kryetarëve të njësive, të koordinatorëve dhe pastaj për proceset e tjera të riorganizimit të partisë.
Nga kontaktet tuaja në terren, ka një tkurrje të numrit të anëtarëve apo anëtarësia është shtuar?
Në para dy ditësh në Kryesi miratuam dhe riorganizim territorial të degëve. Siç është dhe vendimi i Kryesisë do të bëhet edhe konfirmimi i anëtarësisë me të drejtë vote dhe të delegatëve që ishin pjesë e Kuvendit Kombëtar të 2 Shtatorit. Bazuar në punën që po bëjmë dhe bazuar në takimet që ka pasur Kryetari i Partisë në disa degë, unë besoj që do konfirmohet numri i anëtarësisë që ishte në Korrik, por mund të ketë dhe anëtarë të rinj, për t’u bërë pjesë e partisë. Nuk është një fushatë anëtarësimesh, por është një proces rioorganizimi dhe është konfirmimi i anëtarëve me të drejtë vote që morën pjesë në zgjedhjet e 29 Korrikut dhe në Kuvendin e 2 Shtatorit.
Kriza tashmë është fakt, në cilat degë është dëmtuar më shumë PD?
Kjo është e ditur dhe e gjithë pranuar nga ana jonë që ka pasur një krizë të brendshme. Me zgjedhjen e Kryetarit të ri partisë, me zgjedhjen e Këshillit Kombëtar, me zgjedhjen e Kryesisë, ne po punojmë që kësaj gjejë t’i jepet fund. Siç e theksova ka probleme me degët e Partisë Demokratike, ka degë që janë shumë mirë, ka disa degë që janë në nivel mesatar ka dhe degë që kemi shumë probleme. Por për këtë arsye kemi ngritur grupet e punës, për këtë arsye ka filluar ky proces riorganizimi, që në të gjejmë njerëzit e devotshëm, njerëz cilësor që duan ta bëjnë Partinë Demokratike një alternative qeverisëse për zgjedhjet e ardhshme.
Në zgjedhjet vitit 2021, PD ishte një forcë e madhe që kërkonte pushtetin, tashmë me numra më të vegjël çfarë synoni në 2025?
Partia Demokratike synon që të jetë alternative qeverisëse në vitin 2025. Është e vërtetë që ka probleme në lidhje me anëtarësinë, por probleme strukturore degët e PD kanë pasur edhe në prag fushatës të vitit 2021. Një parti që ishte pretendente për të ardhur në pushtet, kishte probleme të theksuara në strukturat. E kam thënë dhe kur ishte debati për procesin e zgjedhjes së kryetarit, që të fillonte nga degët apo kryetari, e kam thënë në atë kohë që vetëm 20% e degëve kanë pasur strukturë të plotë. Pra një parti që pretendonte të vinte në pushtet në vitin 2021 kishte vetëm 20% të strukturave me kapacitet të plotë. Nuk është e lehtë, por ajo që na duhet ne është të jemi pranë demokratëve dhe pranë njerëzve. Nëse jemi çdo ditë pranë tyre të qartë dhe me njerëzit e duhur, patjetër që PD ka të gjitha mundësitë që të jetë alternative qeverisëse.
Në dy mbledhjet e fundit të Kryesisë janë marrë vendime për përjashtimin e 12 deputetëve, 11 deputetë u larguan nga Grupi Parlamentar, ndërsa për Gazment Bardhin vendimi ishte më i rëndë, pasi u përjashtua edhe nga partia. Duke qenë se shumë deputetë të tjerë nuk e njohin Lulzim Bashën si Kryetar dhe as organet e partisë, a do të vijoni me përjashtimet?
Çdo anëtar i Partisë Demokratike që nuk zbaton statutin, do të merren masa sipas përcaktimeve statutore, nga anëtari më i thjeshtë deri tek struktura më e lartë drejtuese e Partisë Demokratike.
Pse për Gazment Bardhin vendimi ishte më i rëndë, a nuk ka vepruar ai njësoj si deputetët e tjerë që nuk i njohin organet e reja drejtuese të partisë?
Për deputetin Bardhi është marrë e njëjta masë për deputetët e tjerë, masa për përjashtimin nga anëtarësia e Partisë Demokratike dhe si rrjedhojë largimi nga të gjitha pozicionet që ka në Partinë Demokratike. Nuk është bërë as më shumë dhe as më pak, sa është bërë me deputetët e tjerë, kur zoti Bardhi ka qenë pjesë e vendimmarrjeve, siç është rasti i zotit Bylykbashi. Zoti Bardhi ka qenë pjesë e vendimmarrjes dhe pjesë e zbatimit të vendimit që mori Kryesia, Këshilli Kombëtar dhe Grupi Parlamentar në Janar të vitit 2022 dhe në Janar të vitit 2023. Ka qenë vetë zoti Bardhi ka kryer këtë vendimmarrje dhe të zbatimit të vendimeve.
A po bëhen negociata për bashkimin e deputetëve rreth Bashës, apo tashmë mund të themi se ndarja e PD është përfundimtare?
Unë e kam thënë gjithmonë që nuk jam për një bashkim mekanik, qoftë të deputetëve dhe demokratëve. Bashkimi real ndodh në strukturat e PD, në qytetet e Shqipërisë. Bashkimi duhet të ndodh tek demokratët dhe tek qytetarët shqiptar. Ne duhet të vazhdojmë më të merremi me njëri-tjetrin, ata tashmë janë e shkuara. Ne duhet të shohim nga e ardhmja, se çfarë do bëjmë për qytetarët shqiptarë. Duhet të dimë se si e nisin dhe e ngrysin jetën qytetarët shqiptarë. Ne duhet të jemi pranë halleve të tyre, të bëhemi zëri i tyre. Ne duhet të mbyllim ciklin dyvjeçar që jemi marrë me njëri-tjetrin, Rama ka qeverisur shumë komod dhe asnjë nuk është marrë me problemet e qytetarëve. Ndaj dhe kryetari i PD ka filluar këto takime për t’u futur deri në detaje për çdo problem që kanë familjet shqiptare.
Kryetari i partisë Lulzim Basha pas rizgjedhjes premtoi se në Tetor do merrej selia, a po bëhen tentativa për marrjen e godinës apo tashmë veprimtaria juaj do vijojë në zyrat e reja?
Ne do ndjekim çdo hap ligjor për të kthyer selinë tek Partia Demokratike. Por nga ana tjetër nuk e bën punën selia, por punën e strukturat, e bëjnë njerëzit, drejtuesit e Partisë Demokratike me njerëzit, kështu që ne do ndjekim hapat ligjor, por fokusi jonë është puna në terren, puna me njerëzit. Krijimi i një alternative të besueshme për qytetarët, të kthejmë besimin dhe shpresën të votuar Partinë Demokratike.
Partia Demokratike zyrtare vijon të ketë probleme me strukturat në degë, pohoi Sekretari për Organizimin, Taulant Zeneli, në një intervistë për A2 CNN. Ai pranon se shumë degë janë dobësuar nga përplasja e brendshme, por thekson se përjashtimet do të vijojnë nëse nuk respektohet statuti. (A2 Televizion)
