Tifozët nga Kosova kanë ndezur atmosferën që në pikën e kalimit kufitar të Morinit, në prag të ndeshjes së futbollit mes Shqipërisë dhe Çekisë.
Me autobusë dhe autovetura, qindra tifozë, të veshur me ngjyrat kuq e zi, jo vetëm që konfirmojnë mbështetjen për kombëtaren e futbollit shqiptare, por shprehen të sigurt edhe për rezultat pozitiv.
“Ku jena me shku? Në mes të Tiranë, se kemi me fitu sot 3-1. Patjetër. S’diskutohet. A e di pse 3-1? Që me ardhë Çekia në Gjermani dhe me fitu edhe atje.”
Të pyetur se mbrëmjen e sotme luan edhe Kosova ndërsa ata kanë ardhur për të mbështetur Shqipërinë, tifozët e Kosovës japin këtë shpjegim.
“Duhet edhe një apel gjithë trojeve shqiptare nga janë. Vetëm me këtë flamur. Kjo është pasqyra që na ka fal i madhi zot. Sot luan edhe Kosova, Kosova përfaqësuese, Shqipëria është kombëtare.”
Vetëm gjatë paradites kanë hyrë nga Kosova në vendin tonë me dhjetëra autovetura dhe autobusë kryesisht me tifozë në mbështetje të kombëtares shqiptare të futbollit. (A2 Televizion)
