Senatorja amerikane, Jeanne Shaheen, i bëri thirrje Serbisë të bashkëpunojë për hetimin ndaj sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveaçanit, ndërsa kërkoi që përgjegjësit të sillen përpara drejtësisë.
“Jemi këtu për të mbështetur Kosovën”, deklaroi senatorja, e cila së bashku me kolegun Peter Welch, vizitoi të premten Prishtinën, ku u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
“Është shumë e rëndësishme, siç e përmendi presidentja Osmani që përgjegjësit për ngjarjen e 24 shtatorit të japin llogari. Shpresoj që Serbia do të bashkëpunojë për këtë çështje dhe të gjithë përgjegjësit të dalin para drejtësisë dhe sundimit të ligjit. Kjo na tregon, po ashtu, se për paqe dhe stabilitet afatgjatë këtu në Kosovë, është një mundësi për të vazhduar me mbështetjen e Evropës dhe Shteteve të Bashkuar për gjetjen e një bashkëjetese paqësore dhe afatgjate me Serbinë.”
Presidentja Osmani akuzoi Serbinë se po “synon të destabilizojë të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor duke vepruar si satelit i Rusisë”.
Ajo kërkoi që Serbia të mbahet përgjegjëse për aktin e agresionit, duke ia dorëzuar terroristët Republikës së Kosovës.
Ndërsa, kryeministri Albin Kurti deklaroi se dialogu nuk mund të vazhdojë sikur të mos ketë ndodhur asgjë.
Para senatorëve amerikanë, Kurti renditi argumentet që sipas tij dëshmojnë përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist në Bansjkë.
Përfshirja, sipas tij, ka ndodhur në të paktën 4 shtresa; presidenca inteligjenca, ministria e Mbrojtjes dhe ministria e Punëve të Brendshme, që siç tha kanë mbështetur sulmet terroriste në Banjskë. (A2 Televizion)
                                          
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   