Kryeministri Edi Rama dhe Presidentja e Komisionit Europian në konferencën e përbashkët për media u pyetën nga gazetarët lidhur me qëndrimin që do të mbahet në Samitin e Berlinit, për tensionet në marrëdhëniet Kosovë-Serbi.
Shefja e KE kërkoi nga të dy vendet që t’i rikthehen dialogut nën direktivat e Bashkimit Europian, pasi kjo është e vetmja rrugë për normalizimin e marrëdhënieve.
“Marrëveshja e Ohrit është ato që u arritën në shkurt dhe mars, baza për pajtimin përmes dialogut të BE. Është me rëndësi që Kosova dhe Serbia të kthehen në tryezën e dialogut për normalizimin e marrëdhënies. Kjo është rruga e duhur për të ardhmen sepse Kosova dhe Serbia do jenë pjesë e BE. Pajtimi dhe angazhimi janë tërësisht të domosdoshme dhe vendi për ta bërë këtë është dialogu i BE-së.”
Ndërkohë, Rama nënvizoi se do të ketë një hapësirë diskutimi kushtuar marrëdhënieve fqinjësore në rajon, në samitin që zhvillohet nesër në Tiranë.
Shefi i qeverisë shqiptare ndryshe nga disa javë më parë kur kritikonte qëndrimin “as mish as peshk” të BE për sulmin e mercenarëve serbë në Banjskë, që la të vdekur efektivin Afrim Bunjaku, këtë herë kërkoi që Kosova dhe Serbia të zgjidhin problemet e tyre nën ombrellën e BE-së.
“Procesi i Berlinit lidhet me nxitjen e vazhdueshme të të gjitha vendeve të rajonit drejt katër lirive të BE, lirisë së lëvizjes së njerëzve, të mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve dhe tipikisht ky proces dhe samitet e këtij procesi nuk janë vendi për zgjidhjen e çështjeve bilaterale. Por në programin e samitit, që është përgatitur prej shumë kohësh në harmoni me kancelarinë gjermane, dreka e punës, e liderëve do ti kushtohet edhe marrëdhënieve fqinjësore në rajon. Pra hapësira për një diskutim të hapur është e programuar, por nuk është një samit, i cili merr përsipër të gjejë zgjidhje për probleme që siç e tha presidentja lidhur me çështjen konkrete, janë probleme që trajtohen dhe duhet të zgjidhen nën ombrellën e BE-së.”
Sakaq, si Rama dhe von der Leyen iu shmangën pyetjes, nëse do të ketë një deklaratë ku do të dënohet Serbia për ngjarjen e 24 shtatorit në Banjskë, në përfundim të Samitit.
Presidentja e KE përgjigjen e saj e fokusoi në çështjen e konfliktit në Gaza midis Hamasit dhe Izraelit, duke anashkaluar sulmin serb në Veri.
“Nuk mendoj që është parashikuar deklaratë në samitin e Berlinit. Ne do të kemi një samit të Këshillit Europian një ditë më pas dhe kjo pasohet me një deklaratë nga KiE. Deklarata është bërë publike., pak a shumë vë në kornizë dënimin e sulmit terrorist të Hamasit mbi Izraelin. Në të njëjtën kohë është urgjente që duhet ofruar ndihmë humanitare për civilët në Gaza dhe ata viktima të Hamasit.”
Ndërsa Rama u shpreh se kërthiza politike e Tiranës është në Bruksel dhe atje diskutohen këto tema të rëndësishme.
“Samiti i Tiranës është në vazhdën e Procesit të Berlinit, që është një vizion i kancelares Angela Merkel, që bëri të mundur që për herë të parë në historinë tonë, liderët e Ballkanit Perëndimor të uleshin në një tryezë si kurrë më parë në histori, jo për të folur për të shkuarën por të filluar një bashkëpunim për të ardhmen. Kemi përcaktuar një hapësirë për të diskutuar çështjet e fqinjësisë në rajon, por asgjë më shumë se kaq, se nuk është ky fare qëllimi i këtij samiti. Vërtetë Tirana është kryeqyteti europian i Ballkanit. Praktikisht mund ta diskutojmë por duhet të hyjmë në luftë me grekë, serbë e maqedonas e malezezë se kush është kërthiza e Europës. Politikisht është e sigurt që kërthiza e Europës është në Bruskel dhe atje vendosen e diskutohen këto tema që janë shumë të mëdha për ne. Nuk na takon ne këtu në Tiranë ti japim zgjidhje problemeve të planetit.” (A2 Televizion)
