Biden viziton Izraelin! Paralajmërimi i Iranit: Do të marrim masa kundër Tel Avivit

Nga A2 CNN
17 Tetor 2023, 08:50 | Bota
Biden viziton Izraelin! Paralajmërimi i Iranit: Do të marrim masa

Presidenti amerikan, Joe Biden, do të vizitojë Izraelin të mërkurën, teksa vendi bëhet gati të nisë ofensivën tokësore kundër militantëve të Hamasit në Rripin e Gazës. Siç bëri të ditur Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken, Biden do të takohet me kryeministrin Benjamin Netanjahu dhe do të bëjë të qartë se Izraeli ka të drejtën të mbrojë veten. Kreu i Shtëpisë së Bardhë do të informohet mbi planet e ofensivës tokësore dhe do të diskutojë mbi mënyrën se si Izraeli do të zhvillojë operacionet, duke minimizuar viktimat civile.

“Së pari, presidenti Biden do të rikonfirmojë solidaritetin e SHBA-së me Izraelin dhe përkushtimin tonë të palëkundur ndaj sigurisë së vendit. Së dyti, presidenti do të përcjellë mesazhin e qartë dhe të pangatërrueshëm për çdo aktor, shtet ose jo shtet që të mos përfitojë nga kjo krizë për të sulmuar Izraelin. Së treti, presidenti do të vijojë të koordinohet ngushtë me partnerët izraelitë për lirimin e pengjeve dhe së katërti do të informohet mbi qëllimet dhe strategjinë izraelite të luftës”, tha Blinken.  

Sakaq, në paralajmërimin më të fortë deri më tani, Irani që mbështet Hamasin, tha se do të marrë masa parandaluese, siç i quajti, kundër Izraelit gjatë orëve në vazhdim. Besohet se kjo mund të nënkuptojë përfshirjen e milicisë së fuqishme të Hezbollahut, të mbështetur nga Irani në Liban, e cila ka shkëmbyer zjarr me Tel Avivin, gjatë ditëve të fundit. Ushtria izraelite vijon të shkëmbejë sulme ajrore dhe me raketa me militantët në Gaza, ku sipas OKB-së sistemi shëndetësor dhe spitalet po shkojnë në kolaps.

Sipas autoriteteve palestineze, të paktën 49 persona u vranë si pasojë e sulmeve izraelite, mbrëmjen e së hënës, duke e çuar në më shumë se 2700 numrin total të viktimave në Gaza. Mbi 1300 janë humbjet e jetëve në Izrael, pas sulmit masiv të Hamasit. OKB-ja paralajmëron se mbi 1 milion palestinezë, të shpërngulur nga shtëpitë e tyre, kanë nevojë urgjente për ushqim, ujë dhe karburant. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos