Kurti i përgjigjet Ramës: Veriu është tokë e Kosovës. Brnabiç refuzoi të firmoste ujdinë

Nga A2 CNN
17 Tetor 2023, 12:16 | Kosova
Kurti i përgjigjet Ramës: Veriu është tokë e

“Presidenti i Serbisë është i zënë në Kinë, me vizitën atje dhe me takime me superfuqitë lindore dhe verilindore”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në përfundim të samitit të Berlinit në Tiranë hodhi poshtë pretendimin e kryeministres serbe, Ana Brnabiç, se Beogradi dëshiron të normalizojë marrëdhëniet me Prishtinën.

Shefi i qeverisë u shpreh i gatshëm të marrë pjesë në takimet e dialogut, për së pari kërkon zbatimin e marrëveshjes bazike të shkurtit dhe të aneksit të Ohrit. Një përgjigje pati edhe një deklaratë të kryeministrit Edi Rama, lidhur me veriun e Kosovës.

“Veriu i Kosovës është tokë e Kosovës. Kemi nevojë më shumë për siguri të Kosovës kemi nevojë për trupa të NATO-së të bashkëpunojnë me policinë e Kosovës. Policia e Kosovës është e para, EULEX i dyti, KFOR i treti. KFOR nuk është institucion i zbatimit të ligjit. Veriu i Kosovës është tokë e Kosovës”.

Vëmendje të konsiderueshme mori dhe sulmi i armatosur në Banjskë të Kosovë, me kryeministrin Kurti që kërkoi dënimin e Serbisë si përgjegjëse për të dhe më shumë siguri, në mënyrë që të shmanget përsëritja.

“Duhet të ketë sanksione për Serbinë dhe siguri për Kosovën. Procesi i Berlinit e bën Ballkanin europian dhe Ballkani europian i duhet shteteve tona. Të gjitha shtetet duhet të anëtarësohen sa më parë dhe Kosova nuk ka dilema sa i përket orientimit europian dhe euroatlantik”.

Kurti falënderoi kancelarin gjerman, Olaf Scholz, për mbështetjen e ofruar për Kosovën pas sulmit të armatosur të 24 shtatorit. Vetëm pak metra më tutje, një konferencë e rëndësishme po mbahej. Rama nuk foli lidhur me agresionin në Banjskë, ndërsa Scholz dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dënuan sulmin ndaj policisë, por për ndonjë masë ndaj Serbisë do të pritet fundi i hetimeve.

“E dënojmë vërtetë sulmin ndaj policëve dhe të gjitha aktivitetet që i pamë në Kosovë, duke sulmuar institucionet dhe njerëzit. Janë gjëra që s’do t’i pranojmë dhe është e qartë që BE-ja, shtetet anëtare dhe Gjermania, janë të qartë në këtë pikë”, tha Olaf Scholz, kancelar i Gjermanisë.

“E dënojmë fuqishëm sulmin e tmerrshëm të 24 shtatorit. Aktualisht, jemi në proces të mbledhjes së fakteve për atë sulm dhe në bazë të atij hetimi, ne do të vendosim për hapat e tjerë, në bashkëpunim të ngushtë me shtetet anëtare”, tha Ursula von der Leyen, presidente e KE-së.

Gjithashtu, kërkuan nga Serbia që të bashkëpunojë me Kosovën për hetimet lidhur me këtë sulm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos