Biden mbërrin në Izrael, do marrë pjesë në mbledhjen e qeverisë së luftës

Nga A2 CNN
18 Tetor 2023, 09:33 | Bota
Biden mbërrin në Izrael, do marrë pjesë në mbledhjen e

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka nisur vizitën e tij në Izrael, ku është pritur në aeroport nga kryeministri Benyamin Natanyahu.

Sipas të dhënave, kreu i Shtëpisë së Bardhë ka shkuar në një hotel në Tel Aviv, ku do të marrë pjesë në një mbledhje të qeverisë së luftës së formuar së fundmi në Izrael, e cila do të drejtohet nga Netanyahu.

Në agjendë, Biden ka parashikuar dhe një takim me qytetarët amerikanë, familjarët e të cilëve mbahen aktualisht peng nga terroristët e Hamasit.

Gjithashtu, presidenti amerikan do të takojë në Ofakim dhe të moshuarën Rachel Edri, e cila shpërqëndroi 5 militantë, deri në mbërritjen e ushtrisë izraelite, që çliroi familjen e saj.

Vizita e Biden shihet nga ekspertët e sigurisë, si një mbështetje ndaj Izraelit në këto kohë të vështira që po kalon, teksa tensionet në rajon janë rritur ndjeshëm dhe konflikti rrezikon të përhapet dhe në vende të tjera fqinje.

Që nga nisja e sulmeve, Shtetet e Bashkuara dërguan dy aeroplanmbajtëse në Mesdhe, të shoqëruar nga anije, avionë dhe pajisje ushtarake në ndihmë të ushtrisë izraelite.

Gjatë vizitës në Lindjen e Mesme, Biden kishte parashikuar dhe një vizitë në Jordani, ku do të takonte Mbretin dhe presidentin e autoritetit palestinez, por ky takim u anulua për shkak të sulmit në një spital në Gaza ku humbën jetën më shumë se 500 persona. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos