
Gjykata e Posaçme dëgjoi të mërkurën dëshmitarët e parë të Prokurorisë në procesin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Bashkëshortët Feruzan e Zamira Durda, që humbën djalin e tyre të mitur nga shpërthimi i Gërdecit, rrëfyen para gjykatës detaje nga dita e ngjarjes. Dëshmitarja Zamira Durda tha se transportin e municioneve që demontoheshin në fabrikë e bënte ushtria.
“Nuk e kam personale me Mediun, e kam me institucionin që drejtonte. Unë them që Gërdeci është një krim shtetëror. Mediun nuk e kam takuar ndonjëherë”, iu tha Durda avokatëve të ish-ministrit gjatë dëshmisë.
Dëshmitarja tjetër, Alketa Hazizaj, ish-punonjëse në fabrikën e demontimit, tha se pas hapjes së fabrikës ishte regjistruar për të punuar, por nuk kishte nënshkruar kontratë: “Ditën e ngjarjes dëgjova “flakë, flakë”. Pashë zjarrin 2 metër të lartë dhe u larguam të gjithë me vrap. Shkela mbi një prej viktimave kur ika. Fatmir Mediun s’e kam parë ndonjëherë atje”.
Më tej, dëshmitarja identifikoi një person me emrin Vangjel si përgjegjës të punëtorëve në fabrikë. I njëjti, sipas saj, u ndante punën në mëngjes, si edhe iu jepte pagën çdo dy javë, por pa firmosur kund.
Ndërsa Fejzi Shehu, ish-roje në fabrikë, i tha gjykatës se kishte parë zjarrin që shkaktoi shpërthimin.
“Isha pranë një porte të brendshme të fabrikës, kur rreth 40-45 metër larg pashë karrocën me barut që mori flakë. Pastaj, flaka u shpërnda”, tha Shehu, që theksoi se kishte qenë roje vetëm 2 ditë në Gerdec.
Seanca gjyqësore u shoqërua herë pas here me përplasje të forta mes avokatëve dhe gjykatës. Mbrojtësit e Mediut kërkuan që gjykata të shprehej me vendim për kërkesën e tyre për pyetjen e ekspertëve, që kanë përpiluar akt-ekspertimin e shkakut të shpërthimit të Gerdëcit dhe kryerjen e eksperimentit hetimor, si edhe kërkuan argument se përse gjykata iu refuzoi disa nga pyetjet e tyre drejt dëshmitarëve.
Seanca e radhës e çështjes u caktua për më 27 tetor. (A2 Televizion)