Deputetët demokratë penguan zhvillimin normal të seancës plenare duke mos lejuar socialistët të çelnin punimet me argumentin se sjellja e mazhorancës ndaj opozitës është në shkelje të të drejtave të saj kushtetuese.
Pasi kthyen përmbys karriget e ministrave dhe bllokuan podiumin nga drejtohet seanca, nënkryetarja e Kuvendit Ermonela Felaj mori fjalën nga ulëset e deputetëve, për të komunikuar shtyrjen e mbledhjes.
Socialistët u larguan, ndërsa demokratët u lanë në errësirë duke u fikur dritat e sallës. Opozita vijoi ngujimin për të mos lejuar mazhorancën që të thërriste një seancë të dytë gjatë ditës. Terrin e thyen edhe me këngë.
Sali Berisha deklaroi se ky është vetëm fillimi i rebelimit të opozitës, që tha se do të përshkallëzohet. Sjelljen e opozitës, kryetari i grupit parlamentar të PS Bledi Çuçi, e ka lexuar si dhunë, por përgjigjen ja ktheu homologu i tij politik Gazmend Bardhi.
Përveç komisioneve hetimore të refuzuara nga PS, demokratëve nuk u pranohet as e drejta për ndryshuar përbërjen e komisionit të reformës zgjedhore. Pikë nevralgjike është bashkëkryetari nga radhët e opozitës, për të cilin socialistët pretendojnë se duhet të jetë konsensual.
Por Berisha dha shembuj me emra të përveçëm për të treguar se kjo nuk qëndron. Kjo sjellje ka bërë që Çuci të bjerë në rrjetën e akuzave të Sali Berishës.
Brenda pak orësh socialistët vendosën përjashtimin me 10 ditë të 23deputetë të opozitës, me në krye Sali Berishën dhe Gazmend Bardhin, dënim ky që përfundon para seancës së radhës, njoftuar për më 30 tetor. (A2 Televizion)
                                          
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   