Prokuroria e Elbasanit shpalli moskompetencë dhe kaloi në SPAK hetimin e nisur ndaj Laert Haxhiut dhe 15 personave të tjerë, të dyshuar si të përfshirë në gjashtë vrasje në vitet 2021-2023 në disa qytete të ndryshme të vendit.
Gati tre javë pasi kërkoi urdhër-arreste për ta, Prokuroria e Elbasanit vlerësoi se të dyshuarit kanë vepruar në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe të organizatës kriminale, vepra që hetohen nga SPAK.
Të gjitha aktet e dosjes do t’i përcillen SPAK e do të jetë më pas kjo prokurori që do të vijojë hetimin, sa i përket Leart Haxhiut, por edhe anëtarëve të tjerë të këtij grupi të dyshuar kriminal.
Grupi kriminal që dyshohet se drejtohej nga i shumëkërkuari Haxhiu, u identifikua pas “zbërthimit” të të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani.
Pas deklarimeve të tij, prokuroria e Elbasanit tha se dokumentoi autorët e 6 vrasjeve në vend, 5 rasteve të shkatërrimit të pronës me eksploziv, 2 vjedhje me dhunë, 3 raste të sigurimit të kushteve për të kryer vrasje dhe 2 vrasje të ndodhura në Greqi.
I dyshuari kryesor i dosjes, Laert Haxhi, ndodhet në paraburgim në Greqi, ku u arrestua në maj të këtij viti, për llogari të akuzave të mëparshme ndaj tij për “masakrën e Lushnjës”, ngjarje me 2 të vrarë e 2 të plagosur.
Për këtë çështje Gjykata e Posaçme po e gjykon në mungesë. Kërkesa e palës shqiptare për ekstradimin e tij u refuzua në muajin gusht nga Gjykata e Janinës, ndërsa aktualisht ndodhet në shqyrtim në Apel. (A2 Televizion)
