Një tjetër natë bombardimesh në Rripin e Gazës, ku ushtria izraelite tha se kishte goditur 400 shënjestra. Mes tyre, përfshihen tunele dhe pozicione sulmi të grupit të Hamasit, ndërsa raportohet të jenë eliminuar dhjetëra militantë. Hamasi bëri me dije se të paktën 140 civilë mbetën të vrarë gjatë orëve të fundit, dhe se dhjetëra shtëpi ishin shkatërruar.
Në total mbi 5100 civilë kanë humbur jetën në Gaza që prej 7 tetorit, të paktën 2 mijë prej të cilëve fëmijë. Ushtria sugjeroi se nuk ka ndërmend të reduktojë sulmet ajrore, teksa bëhet gati për ofensivën tokësore në Gaza.
Hamasi liroi të hënën dy gra izraelite të cilat ishin mes më shumë se 200 pengjeve të marra gjatë sulmit të koordinuar të 7 tetorit. Nurit Cooper dhe Yocheved Lifschitz 85 dhe 79 vjeç, janë pengjet e treta dhe të katërta që lirohen, por bashkëshortët e tyre vijojnë të mbahen nga militantët. Ata u rrëmbyen në vendbanimin izralit, Nir Oz, i cili ndodhet përgjatë kufirit të Izraelit me Rripin e Gazës. Presidenti amerikan, Joe Biden, mirëpriti lirimin e pengjeve dhe theksoi nevojën për të vijuar mbështetjen humanitare për Gazën, gjatë një telefonate të zhvilluar me kryeministrin Benjamin Netanjahu.
Sakaq, Kina dhe Shtetet e Bashkuara kërkuan sa më shpejt mbajtjen e një konference ndërkombëtare për paqen. Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar Hezbollahun në Liban të mbështetur nga Irani dhe grupet e tjera që të mos përfshihen në luftë. Tel Avivi u është përgjigjur në shumë raste sulmeve nga Hezbollahu dhe avionët luftarakë izraelitë kanë goditur objektiva në Bregun Perëndimor, Siri dhe Liban. (A2 Televizion)
                                          
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   