Kryeministri Edi Rama nga Brukseli foli për nevojën që ka Ballkani Perëndimor për mbështetjen financiare të BE. Gjatë fjalës së tij në forumin “Global Gateway”, shefi i qeverisë shqiptare foli për Planin e ri të Rritjes, të prezantuar në Tiranë nga Preisdentija e KE Ursula von der Leyen.
“Kjo është vërtetë muzikë për veshët tanë sepse po, reformat janë të nevojshme. Po ,demokratizimi i mëtejshëm është i nevojshëm. Po, rreshtimi me vlerat e parimet e Bashkimit Europian është thelbësor, por siç dikur Angela Merkel thoshte: “Autostradat nuk funksionojnë siç duhet pa demokraci, por demokracia pa autostrada nuk mund të funksionojë si duhet”. Kësisoj, infrastruktura është e nevojshme”, u shpreh Rama.
Në prani të Presidentes së KE, Rama foli sërish për kompleksitetin e marrëdhënies së Shqipërisë me burokracitë Bashkimit Europian.
“Bashkimi Europian, ne jo ende, është një krijesë mjaft e vështirë për tu marrë, duhet të kesh nerva mjaft të forta, duhet të jesh mjaft i përgatitur për të mos ta lënë të të zërë depresioni para se të të zërë BE-ja. Ndërkohë, është dashuri e ashpër. Është një rrugë që duhet ta përshkosh e ku merr mësime dhe ku për shkak të zhgënjimit, ndonjëherë mendon se ka rrugë të lehta në drejtime të tjera, por më duhet të them që në asnjë drejtim tjetër nuk do të gjesh një mik e një aleat që është i fortë e që kurrë, asnjëherë nuk do të të sulmojë dhe ky është Bashkimi Europian”, shtoi Rama.
Kryeministri Rama gjatë vizitë në Bruksel është takuar edhe me eurokomisionerin për Zgjerimin Oliver Varherly ku është diksutuar zgjerimi i unionit dhe fokusimi i planit financiar të KE. (A2 Televizion)