
Drafti i ri për Asociacionin që i është prezantuar së fundmi kryeministrit Kurti gjatë takimit me 5 emisarët e BE dhe SHBA, duket se ka dakordësinë e autoriteteve të Kosovës.
Në një reagim për mediat, kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se propozimi i diplomatëve perëndimorë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që i është dorëzuar qeverisë së Kosovës është plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe nuk krijon një nivel të tretë pushteti.
Mes të tjerash, Konjufca tha se gjithsesi drafti final duhet të hartohet nga qeveria e Kosovës dhe ai nuk duhet të negociohet me Serbinë.
“Dallimi që unë mendoj që është esencial për Republikën e Kosovës dhe institucionet tona shtetërore ka të bëjë më faktin që për Asociacion nuk duhet të negociohet, nuk është asociacioni le të themi temë qendrore e negociatave me Serbinë”, tha Konjufca.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç pritet të takohen të enjten ndaras me presidentin francez, kancelarin gjerman, kryeministren italiane dhe udhëheqës të Bashkimit Evropian, për të diskutuar mënyrat për të zbatuar marrëveshjen e arritur në fillim të këtij viti në Bruksel dhe Ohër. (A2 Televizion)