Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës akuzon Serbinë se po dëshiron të nxisë një luftë në Ballkanin Perëndimor.
Duke folur përpara studentëve të Universitetit Drake në Iowa, ajo shpjegoi çfarë ndodhi gjatë sulmit terrorist të 24 shtatorit dhe tregoi se qëllimi i Beogradit me anë të atij agresioni, ka qenë aneksimi i veriut të Kosovës.
“Ai ishte një plan që destabilizoi të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe na ktheu në vitet ’90, të mbushura me dhunë. Fatkeqësisht, këtë dëshiron Serbia. Ajo është ende e udhëhequr nga mendësia e viteve ’90. Ata duan të rrëmbejnë territorin nga fqinjët e tyre, duan të shkaktojnë më shumë vuajtje dhe luftë. Ne duam të mbrojmë paqen dhe stabilitetin në vendin tonë dhe më gjerë, sepse e dimë se sa vuajti populli ynë dhe sa vuajtën të gjithë të tjerët në rajon për shkak të mendësisë që ekzistonte në Serbi në vitet ’90.”
Presidentja konfirmoi se angazhimi më i madh i trupave të NATO-s në Kosovë do të bëjë që të shmanget përsëritja e sulmeve terroriste dhe hyrja e njerëzve të armatosur.
“Ajo që po bëjmë tani është se po rrisim nivelin e sigurisë dhe kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sepse të kesh një kufi të sigurt është një aspekt themelor i moslejimit të njerëzve të armatosur, automjeteve të armatosura dhe armëve që të hyjnë në Kosovë në mënyrë që ata mund të shkaktojë dhunë, dhe së dyti ne kemi më shumë trupa të NATO-s tani në Kosovë që po na ndihmojnë të merremi me këtë.”
Ndër të tjera, Osmani tha se Kosova është rezultat dhe historia më e madhe e suksesit të politikës së jashtme amerikane. (A2 Televizion)
