
Në ditën e çlirimit të Kosovës, politika në Shqipëri nuk i ka kursyer mesazhet politike, kësaj here që lidhen më së shumti me aktualitetin.
Mesazhi i parë ka ardhur nga presidenti i vendit, Bajram Begaj, i cili edhe ai, njësoj si kryeministri Edi Rama, theksin e ka vënë tek aleatët dhe rëndësia e tyre në krijimin e një shteti demokratik në Kosovë.
“Gëzuar Ditën e Çlirimit Kosovë! Nderim përjetë heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Mirënjohje partnerëve tanë strategjikë SHBA dhe NATO”, shkruan Begaj.
Ndërkohë, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta mes akuzave që ka për procesin e 14 majit, kujdeset të vërë theksin se Kosova është një shembull për zgjedhjet e lira, demokracinë funksionale, mirëqeverisjen dhe llogaridhënien. Një mesazh falënderimi ka pasur edhe për NATO-n dhe aleatët.
“Gëzuar 24-vjetorin e lirisë Kosovë e dashur!
Sot në Ditën e Çlirimit çdo shqiptar ndihet krenar dhe i gëzohet arritjeve të Republikës së Kosovës, zhvillimit të pandalshëm dhe avancimit solid në proceset integruese europiane dhe euro-atlantike. Faktor kyç i provuar për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon! Model frymëzues i ndërtimit të shtetit ligjor! Edhe pse shteti më i ri i rajonit Kosova është bërë një shembull për zgjedhjet e lira, demokracinë funksionale, mirëqeverisjen dhe llogaridhënien!
Mirënjohje dhe thellësisht falenderues për NATO-n dhe vendet demokratike mike, që i dhanë fund gjenocidit dhe kurorëzuan aspiratën shekullore për liri”, është shprehur Meta.
Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO-s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare. (A2 Televizion)