
Në vijim të bashkëbisedimit të tij me qytetarët në rrjetet sociale, Sali Berisha foli edhe për situatën e brendshme në Partinë Demokratike.
Sipas Berishës, problemet madhore në këtë forcë politike u shkaktuan si pasojë e shkelmimit të statutit të partisë, ndërsa vijoi më tej duke shtuar se, nuk ka ndërmend të merret me pengjet, por me pengmarrësin.
“Problemet madhore në PD u shkaktuan nga shkelmimi i statutit. Unë jam i betuar dhe i vendosur të zbatoj me përpikmëri statutin, i cili i jep pushtetin anëtarit të PD. Kryetari nëse humbet zgjedhjet lokale, dhe unë e quaj humbje meqë nuk fituam, ndonëse zgjedhjet janë këto që janë, statuti përcakton votëbesimin tim nga anëtarët e PD.
Analiza e këtyre zgjedhjeve do bëhet në përputhje me statutin e PD-së. Natyrisht paralel me proceset demokratike të partisë, Edi Rama ka stisur një proces me dy pengjet e tij.
Unë mund të them vetëm kaq: pengun nuk ka forcë që e çliron nga pengmarrësi përveç vullnetit të pengmarrësit. Unë nuk merrem me pengje, do merrem me pengmarrësin Edi Rama.
...Me shumë kënaqësi mirëpres në PD të gjithë anëtarësinë e saj dhe në këtë kontekst i garantoj se zëri i tyre do të dëgjohet, propozimet e tyre do përfillen dhe nuk ka asnjë pengesë që ne nëpërmjet procedurave statusore të bëjmë zgjidhjet më të mira.
E rëndësishme është të ekzistojë vullneti dhe ndjenja e përgjegjësi që çdo demokrat dhe demokrate ka për hapjen dhe konsolidimin e PD-së, jo vetëm ndaj anëtarëve të saj, por ndaj mbështetësve dhe simpatizantëve të saj.” (A2 Televizion)
Sali Berisha