25 persona humbën jetën dhe 52 të tjerë u zhdukën për shkak të përmbytjeve që pushtuan Venezuelën këtë fundjavë nga fenomeni La Niña.
Reshjet e dendura të shiut nxorën nga shtrati të paktën 5 lumenj, duke i bërë rrugët të pakalueshme.
Rrëshqitjet vdekjeprurëse të dheut kanë rrëmbyer shtëpitë në qytetin Las Tejerias të Venezuelës, në jug të kryeqytetit Karakas.






Zëvendëspresidentja Delcy Rodriguez vizitoi një nga zonat më të prekura të dielën. Shërbimet e shpëtimit po punojnë për të gjetur të zhdukurit, tha ajo. Presidenti Nicolas Maduro e përshkroi situatën si "të vështirë dhe të dhimbshme" dhe shpalli tri ditë zie kombëtare duke filluar nga e diela, "në solidaritet me familjet e prekura".
Rreth 1000 personel emergjence po merrnin pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit, shtoi zëvendësministri i mbrojtjes civile, Carlos Perez Ampueda.
Rrëshqitjet e dheut ndodhën pasi lumi El Pato doli nga shtrati dhe përmbytjet që rezultuan rrënuan disa shtëpi dhe dyqane.
La Niña është një ngjarje e natyrshme, e cila përfshin një ftohje të Oqeanit Paqësor dhe zakonisht sjell kushte më të lagështa në Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine. (A2 Televizion)