
Njësia administrative Vithkuq dhe fshatrat përreth, vuajnë nga ndërprerja e energjisë elektrike. Kjo situatë është krijuar si pasojë e reshjeve të dëborës dhe të ftohtit, por edhe nga amortizimi i linjës prej 45 kilometrash të gjatë, e cila furnizon këtë njësi.
Sipas banorëve, ky problem shfaqet ndër vite, ndërkohë që është bërë më i shpeshtë muajt e fundit. Shkëputja e energjisë elektrike shkakton probleme dhe në bizneset e fshatit, ku shumë pajisje elektrike janë djegur duke rritur kostot e biznesit.
Ky fakt pranohet edhe nga administratori i njësisë, i cili shprehet se pavarësisht shkresave të dërguara nëpër institucione, përgjigjja dhe zgjidhja mungon.
Si për ironi të fatit, në fshatin Vithkuq është ndërtuar vepra e parë energjetike në vend në vitin 1936, ndërsa sot, në vitin 2021 banorët e këtij fshati vuajnë mungesën e energjisë elektrike. (A2 Televizion)