
“Është koha për revolucion”. Kështu u shpreh kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në takimin hapës të fushatës elektorale të opozitës për zgjedhjet lokale të 14 majit që u zhvillua në stadiumin kombëtar, “Air Albania”.
Sipas Ilir Metës edhe 29 ditë kanë mbetur që shqiptarët t’i japin fund monizmit në pushtetin vendor dhe klikës që i kontrollon ata së bashku me korrupsionin që i karakterizon.
“Edhe 29 ditë për ti dhënë fund monizmit absolut në pushtetin vendor. Shpesh pyes veten, më në fund pas 4 vitesh do të shkallmojmë pikërisht atë që askush nuk e mendonte dhe imagjinonte ndonjëherë në Shqipëri. Që ky vend anëtar i NATO-s, që ky vend 100% pro europian të jetë një vend ku në mënyrë të paligjshme, një klikë kontrollon në mënyrë absolute të gjithë pushtetin vendor, jo vetëm me kryebashkiakët, por edhe me të gjithë këshilltarët.
Ndaj nuk është koha për ndryshim, sepse koha e ndryshimit ka kaluar me kohë. Është koha për revolucion. Po çfarë revolucioni? Për revolucionin me votë. Po çdo të sjellë ky revolucion me votë?
Do të sjellë përmbysje, do të sjellë përmbysjen e korrupsionit absolut dhe do të sjellë njëherë e përgjithmonë transparencë absolute, llogaridhënie absolute, për çdo kryebashkiak që do të zgjidhet dhe për këshillat bashkiake që do të mbrojnë interesin e qytetarëve”, tha Ilir Meta. (A2 Televizion)