A po përdoren shkollat për fushatë në Facebook? Skëndaj: E kemi adresuar çështjen në KQZ

Nga A2 CNN
14 Prill 2023, 22:20 | Politikë
A po përdoren shkollat për fushatë në Facebook?

Erida Skëndaj, drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, në një “Intervistë me Merita Haklaj” në A2 CNN, teksa jemi në prag të zgjedhjeve lokale, u shpreh se administrata vijon të përdoret për fushatë elektorale.

“Vijon të përdoret administrata për fushatë si burim për të marrë vota dhe mbështetje politike. Kjo situatë përdoret në një situatë kur shumë qytetarë vendosin të mos i drejtohen kutive të votimit. Ky është një shqetësim, pavarësisht se kodi zgjedhor ka pësuar ndryshime. Ne shohim në bashkitë që jemi duke monitoruar që ka pasur takime elektorale që kanë qenë nëpunës së administratës publike nga të cilët kërkohet mbështetja.

Nuk është dinjitoze për një punonjës të administratës publike, i cili duhet të jetë i depolitizuar nëse ne duhet të kemi një administratë profesionale.  Shfaqja në publik krijon lëkundje dhe në besimin që qytetarët kanë në institucionet shtetërore dhe në administratë”.

Më tej, Skëndaj tha se Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka adresuar pranë KQZ-së 3 çështje. “Një rast konkret ka të bëjë me kërkesat që kanë ardhur nga drejtoritë rajonale arsimore ndaj institucioneve arsimore parauniversitare në qarkun e Elbasanit dhe të Korçës se sa ndjekës kanë në faqet e Facebook-ut dhe sa pëlqime realizohen. Ne kemi ngritur pikëpyetje serioze se këto faqe përdoren për të bërë “share” postimet e Ministrisë së Arsimit që lidhen me aktivitet politik”, tha Skëndaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos