
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, theksoi në një konferencë për shtyp se “tre nga anëtarët socialistë të komisionit të inceneratorëve janë të përfshirë vetë në etapa të ndryshme të aferës”.
“E vërteta është se shqiptarëve u janë vjedhur 430 milionë euro dhe këta janë detyruar të firmosin kundër ligjit. Që të mos tregojnë faktet, kolegët socialistë në komision kanë marrë përsipër të pengojnë ardhjen e atyre në komisionin hetimor, dhe kur vjen ndokush, të bëjnë zhurmuesin. Tre nga anëtarët socialistë të komisionit janë në konflikt interesi, pra janë të përfshirë vetë në etapa të ndryshme të aferës së inceneratorëve”, tha Basha.
“Këta sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë. U thonë shqiptarëve se është përgjegjësi personale. “Nëse dikush ka ngjyer gishtin pas shpinës sime, le të mbajë përgjegjësi”, thonte Rama nga Amerika. Po si ndodhka kjo, pasi aktet kanë ndodhur para syve të tij, jo pas shpine. Faktet janë në dritë të diellit”, shtoi Basha. (A2 Televizion)