
Me zgjedhjen e Dritan Abazoviç në krye të qeverisë së Malit të Zi, Ballkani përfaqësohet tashmë nga 3 kryeministra shqiptarë. Por si e shohin analistët nga Mali i Zi, Kosova dhe Shqipëria zgjedhjen e Abazoviç dhe roli që do të kenë shqiptarët në Ballkan.
Kristian Dukaj: Shqiptarët janë faktor dhe jo dekor në Ballkan
Për analistin nga Mali i Zi Kristian Dukaj, ardhja e Abazoviç në krye të qeverisë malazeze dëshmon se shqiptarët janë faktor dhe jo dekor në Ballkan. Sipas tij ai shihet si një politikan që ka nevojë Ballkani dhe hap një dritare për brezat e ardhshëm në Malin e Zi për shkak të ideve, programit dhe politikës së tij që ndryshon nga e mëparshmja.
“Rrugëtimi i Abazoviç në krye të qeverisë nuk ka qenë i lehtë, rruga më e vështirë ka qenë ardhja në krye të një partie malazeze. Për një shqiptar kjo ka qenë tabu dhe e pakapshme. Edhe kjo është një ndër fitoret e tij më të mëdha jo vetëm për Dritanin, por për gjithë shqiptarët në Mal të Zi. Flet për Malin e Zi si një shtet multietnik dhe pro perëndimor dhe duket se rrugën e vetme ka bashkimin në BE. Flet për shqiptarët se integrimi i tyre është i domosdoshëm në Mal të zi. Dëshmon faktin që shqiptarët janë të aftë të udhëheqin jo vetëm një komunë por edhe shtet. Ai nuk është i njohur si shqiptar, serb apo malazez por për idetë e tij, programin dhe politikën e tij të hapur, pasi në zgjedhjet fundit ai më së pakti vota mori nga shqiptarët dhe kjo e përcakton atë si një kozmopolit dhe rruga e tij e vetme do të jetë një politike europiane, qytetare dhe ekologjike. Ai shihet si një politikan që ka nevojë Ballkani. Me ardhjen tij Dritani hap një dritare për brezat e ardhshëm në Malin e Zi”.
Për Dukajn jo vetëm shqiptarët shohin shpresë te Abazoviç në Mal të zi, por edhe malazezët serbët dhe të gjitha pakicat.
“Opozita ka bojkotuar seancën parlamentare dhe e quajnë tradhti ndaj zgjedhjeve të 2020-ës, ndërsa qytetarët shohin shpresë për gjeneratat e reja dhe kryeministër ndryshe. Ai zbret me këmbë në tokë, i komunikueshëm dhe afër banorëve. Ai nuk po ndryshon kursin e tij, po vazhdon kursin e tij siç ishte në opozitë. Ai është i vetëdijshëm që populli është i lodhur me politikën e zgjedhjeve dhe është koha t’i kthehemi komunikimit me banorët. Shqiptarët janë të kënaqur me ardhjen e tij. Edhe serbët, malazezët dhe pakicat e deritanishme e shohin si shpresë të ndryshimit dhe bashkimit të komuniteteve. Deri më sot në Ballkan nuk kemi pasur një politikan si Dritani, nuk është në fokus partia. Shqiptarët po dëshmojnë që në Ballkan janë faktor dhe jo dekor dhe kjo do kthejë vëmendjen e organizatave ndërkombëtare. Jo vetëm me ardhjen e Dritanit, Ramës e Kurtit, por edhe lufta në Ukrainë ka bërë që fokusi i BE të kthehet në Ballkan”.
Kushtrim Sadiku: Abazoviç nga tradhtar po del hero
Për analistin nga Kosova Kushtrim Sadiku ardhja e Abazoviç në krye të qeverisë së Malit të zi është një lajm i mirë për shqiptarët, i cili tenton të jetë një politikan që është në shërbim të kombeve që jetojnë në Malin e Zi, por edhe një mundësi e mirë për Podgoricën zyrtare edhe në marrëdhëniet me Serbinë, pavarësisht që Vuçiç nuk e ka mirëpritur ardhjen e tij.
“Nga tradhtar i djeshëm tani po del hero i sotëm. Këto janë stereotipe ballkanike. Është lajm i mirë për shqiptarët, po Abazoviç më shumë ka garuar si malazez i devotshëm me aspirata perëndimore dhe tenton të jetë një politikan që është në shërbim të kombeve që jetojnë në Malin e Zi. Qeveria e tij është e pakicës, por janë të orientuar nga perëndimi dhe Mali i Zi do të shkojë në këtë shteg. Vuciç nuk e ka mirëpritur ardhjen e Abazoviç , por do ta ketë më të lehtë për të bërë kompromise për të garantuar të drejtat e gjithsecilit. Do të jetë një mundësi më e mirë për Podgoricën zyrtare”.
Ben Andoni: Karriera mbi etni
Më pak eurforik është analisti Ben Andoni, për të cilin Abazoviç udhëhiqet nga karriera mbi etninë, që përfaqëson pjesën multietnike të malit të zi, por për ngazëllimin e shfaqur në Tiranë e Prishtinë thotë se nuk ndikon të sjellë ndonjë gjë të madhe nisur nga dy kryeministrat Rama e Kurti që ende nuk kemi një treg të përbashkët Shqipëri-Kosovë.
“Abazoviç është brezi i ri i politikanëve që yll të tyre drejtues kanë karrierën dhe kanë hapësirën e politikës së vjetër të Ballkanit që e kanë katandisur këtu ku është. Nëse nuk do ishte Gjukanoviç, që nuk është një nga shembujt më të mirë të Ballkanit, do të ishte e pamundur dhe ky rrugëtim që e çoi në krye të pushtetit ekzekutiv. Në këtë rast është karriera mbi etni. Abazoviç është përfaqësimi real i pjesës multietnike të Malit të Zi. Ai po lufton për mjedisin, për censusin në parametrat europianë, përpjekje për reformën zgjedhore dhe këto ide e veçojnë me pjesën tjetër. Por ky ngazëllim që është në Tiranë e Prishtinë për 3 kryeministra nuk bëjnë ndonjë gjë të madhe. Ne ende nuk kemi parë një treg të përbashkët. Mënyra si ky peronazh po ngrihet në kult është prirje e politikanëve të rinj të Ballkanit. Kemi një zhgënjim me Kosovën, Rama është i konsumuar dhe tani i takon një njeriu që duam apo jo ne është mbi të gjitha vendet e tjera të integrimit se pothuajse i kanë kaluar të gjithë kapitujt dhe kjo i lehtëson punën në proeuropianzimn e tij. Ai prioritet do ketë lehtësimin e lidhjeve me Serbinë dhe qëndrim më të moderuar me Shqipërinë e Kosovën”.
Andoni thekson se në Ballkan po fryn një erë e re që primar kanë luftën ndaj korrupsionit dhe Mali i zi, Shqipëria, Kosova e Serbia problemin madhor kanë korrupsionin.
Në Ballkan po fryn një erë e re që primar kanë luftën ndaj korrupsionit dhe Mali i zi, Shqipëria, Kosova e Serbia problemin madhor kanë korrupsionin. Do të dëshiroja që Abazoviç të ishte i ndërgjegjshëm për pozicionin e vështirë. Të kesh 4 kryeministra është sikur ecën me frena. Akoma personazhe si Gjukanoviç janë faktorët kryesorë në Ballkan, Berisha në Tiranë. Gjukanoviç ka në dorë t’ia lehtësojë punën dhe të rrisë kreditet te vetja e tij. Shqiptarët po nxjerrin personazhe që dinë të artikulojnë dhe kanë vokacion europian dhe kjo është arritja më e madhe”. (A2 Televizion)