Mitrovica e Jugut e banuar me shumicë shqiptare si dhe pjesa e veriut me shumicë serbe tashmë kanë urën e tretë për lëvizjen e mjeteve.
Punimet për urën përfunduan në afat prej 55 ditësh, ndërsa kryeministri në detyrë Albin Kurti uroi qytetarët.
Kjo është vetëm një nga dy urat që Qeveria e Kosovës vendosi të ndërtojë në secilin krah të urës kryesore, pasi edhe përpjekjet për të hapur këtë të fundit nuk patën sukses.
Ndërkombëtarët ishin të vendosur që hapja e urës kryesore duhet të bëhet pjesë e diskutimeve në Bruksel.
Ndërtimi i dy urave të reja shihet si kompromis deri në hapjen e saj, por për këtë projekt pati një peticion kundër nga Lista Serbe për të cilin vlerësohet se nuk përfaqëson zërin e të gjithë qytetarëve serbë.
“Këto janë qëndrime politike të qarqeve të cilat kanë dëshiruar dhe dëshirojnë vazhdimisht ta mbajnë të tensionuar por edhe të bllokuar qytetin e Mitrovicës. Qytetarët në veri dhe në jug mendojnë se nuk kanë as vullnet, as potencial për të marr hapa të njëanshëm të cilët do të mund të ndikonin në sigurinë e përgjithshme, qoftë në Mitrovicë, qoftë në Kosovë apo rajon”, tha për A2 CNN, njohësi politik Emir Azemi.
Nga kompania që ndërtoi urën thanë se nuk ka pasur asnjë problem gjatë punimeve, ndërsa prezencën e policisë së fundmi e arsyetuan me mbarëvajtjen e punimeve.
“Një muaj ditë s'ka pasur policë, ne si kompani kemi angazhuar vetëm një roje për shkak të sigurisë të punishtes dhe të mjeteve. Me kërkesën time janë vendosur policia edhe kanë mbajtur rregullin e rendin, unë mendoj që nuk ka pasur ndonjë arsye tjetër”, tha për A2 CNN, menaxheri i kompanisë kontraktuese, Jahir Dedia Nimani.
Qytetarët e mirëpritën urën e re ndërsa shtuan se askush nga komuniteti nuk ka arsye për t’u shqetësuar.
Punimet për urën e dytë e cila do të shërbejë vetëm për këmbësorë po vijojnë ndërsa nuk u dha një datë se kur do të hapet e njëjta. (A2 Televizion)