“Buna Fest” në Shkodër ishte festa që i ktheu vëmendjen e munguar prej vitesh lumit Buna, duke bërë bashkë banorët vendas, vizitorë e turistë të huaj, të cilët shijuan një ditë ndryshe plot adrenalinë. Përmes guidave apo rrjeteve sociale, turistë nga vende të ndryshme të botës që u bënë pjesë e festës, u surprizuan nga qetësia dhe natyra e brigjeve që ofron Buna, shkruan A2 CNN.
“Një ditë e mrekullueshme. Vajza ime humbi syzet në liqen dhe brenda një ore ia zëvendësuan. Unë vij nga Mbretëria e Bashkuar. Këtu është shumë bukur, ka peizazh mahnitës”, thotë një turiste. “Është e pabesueshme ajo që shijuam. Ishte shumë sociale dhe meditative. Një paqe e vërtetë mes një gjelbërimi të madh ngado. Jam nga Oksford, Mbretëria e Bashkuar dhe është hera e parë në Shqipëri, jam shumë e surprizuar”, thotë një tjetër. “Është shumë bukur këtu dhe jam e dashuruar me gjithçka në Shqipëri, veçanërisht me natyrën. Ndodhem për herë të dytë këtu dhe ajo që më surprizoi më shumë janë njerëzit. Nuk e prisja që të ishin kaq miqësorë dhe ndjehem shumë e sigurt. I kam lënë Shtetet e Bashkuara dy vjet më përpara; supozoja që do të udhëtoja për tri muaj, por kam ndryshuar mendje dhe po udhëtoj prej dy vitesh”.
Edhe fëmijët përjetuan një ditë larg rutinës së përditshme, duke u argëtuar pafund me kanoe, paddle board apo edhe duke notuar në rrjedhën e lumit Buna. “Unë jam nga Spanja. Më pëlqen plazhi, pylli, pastërtia dhe kam bërë xhiro me paddle board”.
Në brigjet e Bunës, aty ku lumi bashkohet me liqenin dhe takohet më pas me detin, kjo hapësirë me natyrën e egër, ende të paprekur nga dora e njeriut, u kthye në një skenë magjike ku u ndezën zjarre dhe u rrëfyen historitë e vjetra të Shkodrës.
I quajtur ndryshe “Amazona shqiptare”, lumi Buna ka qenë gjithmonë i lidhur ngushtë me jetën e banorëve. Hijeshinë nuk e humbi asnjëherë, ndërsa tashmë po i rikthehet edhe dashuria e munguar ndër vite. Nën petkun mistik, lumi Buna do të jetë gjithmonë Lumi i Jetës! (A2 Televizion)